Maturantët që duan të ndjekin shkollat e larta për vitin e ri akademik 2016 – 2017 do të njihen pranë çdo universiteti me formulën dhe kriteret e përzgjedhjes së studentëve, pasi pranimi i tyre nuk do të bëhet më sipas parimit “meritë – preferencë”. Me pak fjalë, Formulari A2 nuk do të aplikohet më. Studentët do të regjistrohen pranë sekretarive të fakulteteve të universiteteve ku duan duan të studiojnë dhe do të presin nëse shpallen ose jo fitues. Secili universitet do ta zgjedhë vetë formën e përzgjedhjes së studentëve. Pranimi do të bëhet në bazë të dy kritereve.
Qeveria cakton kuotat dhe kufirin minimal të notës mesatare
Njëri kriter do të jetë nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme. Këtu pritet edhe ndërhyrja e Këshillit të Ministrave, që parashikohet të nxjerrë një vendim të veçantë për notën më të ulët mesatare që të jep të drejtën e aplikimit për në universitet.
Sipas të gjitha gjasave, nota më e ulët mesatare do të jetë 6,5. Maturantët me notë mesatare më të ulët se 6,5 nuk do të lejohen të aplikojnë për në universitet. Ky kusht pritet të aplikohet tek të gjitha universitetet publike, qofshin ato shtetërore apo joshtetërore.
Këshilli i Ministrave pritet të përcaktojë edhe kuotat për secilin program studimi, duke u hapur rrugë kështu universiteteve të aplikojnë kritere shtesë.
Universitetet caktojnë kriteret e tyre
Secili universitet do të shpallë një formulë, përmes së cilës do të përzgjedhë studentët fitues, në bazë të kuotës që ka programi i studimit. Fillimisht, univeristeti do të caktojë peshën që do të mbajë nota mesatare në këtë formulë, dhe më pas do të shtojë edhe kriteret e reja përzgjedhëse.
Universiteti i Tiranës ka njoftuar se nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme do të përfaqësojë 50 përqind të peshës në formulën përzgjedhëse. Këtu do të përfshihen edhe notat e fituara në provimet e Maturës Shtetërore. Ndërkohë, deri tani, universitetet e tjera të vendit ende nuk ndërmarrë një njoftim të tillë.
Kriteri tjetër përzgjedhës mund të jetë shumë i ndryshëm, në varësi të programit të studimit ku kërkohet të studiohet. Në këtë pikë, Univeristeti i Tiranës pritet të shpallë tre deri në katër lëndë, nga programi i zhvilluar në shkollën e mesme, për secilin program studimi universitar dhe notat e këtyre lëndëve do të merren si kriter shtesë.
Por, kjo nuk do të jetë mënyra e vetme. Secili universitet është i lirë të përzgjedhë kriterin e vet të pranimit dhe, për programe të veçanta, ku kërkesat janë të larta dhe kuotat të ulëta, mund të aplikohet edhe konkursi.
Hiqet Formulari A2, por jo Matura Shtetërore
Pavarësisht ndonjë thashethemi, Matura Shtetërore qëndron në fuqi dhe kryerja e saj është e vetmja mundësi për të përfunduar shkollën e mesme, që më pas të mund të aplikosh për të studiuar në ndonjë universitet. Pa kalimin me sukses të Maturës Shtetërore, shkolla e mesme nuk quhet e përfunduar.
Por, aplikimi për të studiuar në universitet ndryshon plotësisht. Tani, maturantët do të regjistrohen vetë pranë sekretarive të fakulteteve të universiteve që duan. Ata do të regjistrohen në programin e studimit që duan dhe do të presin aplikimin e proçesit përzgjedhës. Në rast se ai program studimi parashikon pranim me konkurs, atëherë maturantët do t’i nënshtrohen konkursit.
Nisur nga pikët e fituara në këtë proçes përzgjedhëz dhe nisur nga kuotat e caktuara, universiteti do të shpallë fituesit për secilin program studimi.
Paqartësi që do të sqarohen rrugës
Paqartësia më e madhe rreth kësaj forme aplikimi për në universitet është pasja ose jo e së drejtës për të aplikuar në disa programe studimi njëherësh, me qëllim që maturantët të kenë mundësitë më të mëdha për të mos mbetur jashtë. Kjo pasi dihet që jo të gjitha programet e studimit preferohen njëlloj dhe ka raste kur kuotat e ndonjë programi mbeten edhe pa plotësuar.
Heqja e së drejtës për të aplikuar në disa programe njëherësh do t’i penalizojë maturantët të cilët, në kërkin të degës së tyre të preferuar mund të mbesin edhe krejtësisht pa të drejtë studimi.
Megjithatë, pritet që detaje të tilla të sqarohen rrugës. E rëndësishme është që maturantët t’i kushtojnë të njëjtën rëndësi Maturës Shtetërore, ndonëse ndonjë edhe mund të penalizohet nga nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme, pasi mund të mos i ketë dhënë rëndësinë e duhet të gjitha lëndëve.





