Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të ish-truprojës së Saimir Tahirit, Hekuran Markut, duke i dhënë atij mundësinë që në rast të shpalljes i fajshëm të përfitojë ulje të dënimit.

Gjykata nisi këtë të hënë gjykimin e tij për akuzën e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike si pjesë e një grupi kriminal që u godit nga një hetim i autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Prokuroria thotë se Marku dhe ish-truproja tjetër e ish-ministrit të Brendshëm, Paulin Deda kishin kultivuar parcela me kanabis dhe ishin angazhuar në një rast të transportit të lëndës narkotike.

Vetë Marku ka mohuar akuzat e drejtësisë, duke pretenduar se është i pafajshëm.