Kili, 9 korrik 2014 – Një agjenci qeveritare në Kili publikoi një raport mbi dy fotografi që tregojnë një objekt, për të cilin studiuesit thonë se mund të kualifikohet si UFO. 

Komiteti për studimet e fenomeneve ajrore anormale (CEFAA), pjesë e Departamentit ministror të Aeronautikës civile të Kilit, ka nisur studimet e fotografive të objektit, pasi ai ishte dalluar nga katër inxhinierë në një minierë të largët bakri. Sipas raportit, inxhinierët e kanë përshkruar objektin si një disk të sheshtë me ngjyra të ndezura me një diametër nga 5 në 10 metra. Ai bënte lëvizje horizontale me distancë të shkurtër rreth 600 metra mbi tokë. 

Një prej inxhinierëve e kishte fotografuar me një aparat Kenox Samsung S860, në prill 2013. Fotot përfunduan te CEFAA në fillim të këtij viti. Pas hetimeve, CEFAA përjashtoi çdo mundësi që disku të ishte ndonjë fenomen meteorologjik, përfshirë retë lentikulare, avion eksperimental apo ndonjë dron. Studimi përfundon se: “Është një objekt apo fenomen me interes të madh dhe mund të kualifikohet si UFO”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/