DIBER- Rreth 5 ditë pas ngjarjes makabre në fshatin Hotesh të Peshkopisë, ku dy nuset vranë vjehrrën e tyre duke i hedhur vaj të nxehtë në vesh, detaje të tjera dalin në lidhje me motivin e krimit. Fillimisht vrasjen e 67-vjeçares Naime Skuka e pranoi nusja e madhe, 30-vjeçarja Xhemile Skuka. Por tashmë edhe nusja tjetër Hike Skuka, 23 vjeçe ka pranuar se ka marrë pjesë në vrasje. Megjithatë burime konfidenciale nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër shprehen të sigurta se në vrasjen e 67-vjeçares janë të implikuar edhe persona të tjerë. 

Dy të dyshuarat kanë nga 3 fëmijë secila, më të vegjlit 3 dhe 7 muajsh. Të miturit u dërguan në spitalin e Peshkopisë menjëherë pas ngjarjes. Ndërkaq, dje paradite kanë mbërritur nga Italia edhe dy djemtë e viktimës, bashkëshortët e dy të akuzuarave Uran dhe Edmond Skuka. Pas kryerjes së ceremonisë mortore të nënës së tyre, rreth orës 14:00, dy vëllezërit kanë shkuar në spitalin e Peshkopisë dhe kanë marrë 6 fëmijët. Sapo janë takuar me baballarët, fëmijët më të rritur kanë kërkuar të dinë për gjyshen e tyre. 

“Ku është gjyshja?”, mësohet të kenë thënë të miturit. Për sa u përket familjeve të dy nuseve, vëllai i 67-vjeçares ka refuzuar ardhjen e tyre në mort. Burime konfidenciale nga policia bëjnë me dije se njëra nga pistat ku po hetohet është lidhja jashtëmartesore që kanë pasur dy kunatat.