In memoriam                                  

Në vitin 1975, në kampionatin kombëtar të klasave sportive që po zhvillohej në Gjirokastër, i mirënjohuri Sul Maliqati fut në vend të portierit të dëmtuar djalin e tij, Agimin. Fare rastësisht Agim Maliqati do ta shihte veten e tij duke mbrojtur portën e Teutës. Një karrierë e tërë ndërtuar pranë futbollit, duke ndjekur hap pas hapi mjeshtrin e madh, Sulejman Maliqatin, babain e tij. Në varrimin e Agimit, në datë 2 maj, varrezat e Durrësit ishin mbushur plot me njerëz që kishin ardhur t’i jepnin lamtumirën e fundit, portierit të paharrueshëm të Teutës.

1 maj 2012! Një ditë e nxehtë, thua se pranvera e lagësht dhe e vonuar ishte lënë pas. Po për Agim Maliqatin kjo ditë kishte më shumë ngazëllim dhe kënaqësi. Ditë pushimi dhe të dyja vajzat ishin në shtëpi. Babai i tyre i përkëdheli më shumë se çdo herë tjetër, duke i trajtuar si dy drita që i jepnin ndriçim jetës së tij. Vajza e madhe Majvina dhe e dyta Suada, të tregojnë se vërtet babai i tyre atë ditë kishte edhe një nur të veçantë dhe ia kishte qejfi të qëndronte më gjatë se zakonisht me to. Diku nga dreka kishte telefonuar disa miq të tij dhe kishte kaluar të tjera minuta zbavitëse nën shoqërinë e tyre. Kishte kryer edhe disa angazhime në apartamentin e tij të ri dhe kishte zbritur tek lokali shumë pranë shtëpisë, tek daja. Bëhet fjalë për njeriun e mirë dhe shumë popullor në Durrës, kuzhinierin e famshëm Rexhep Keçi. Atje ishte bashkuar me të jatin, të madhin e portës shqiptare së viteve 50-60, Sulejman Maliqatin. Kishin qëndruar deri nga ora 19.30 e më pas Agimi kishte ngjitur shkallët dhe ishte rikthyer në banesë. Majvina dhe Suada kishin dalë me shoqet dhe Sula bisedonte me disa miq e shokë poshtë ndërtesës ku jetonte. Të nesërmen fillonte mësimi dhe si mësues i shkollës 9-të vjeçare publike “Kushtrimi i Lirisë”, duhej të shkonte i përgatitur. Mori materialet e punës dhe nisi të bëjë ditarin e orëve të mësimit për nxënësit. Nga ora 20.15 nga Tirana e telefonoi Arta, kunata e tij dhe pasi e përshëndeti i dha lajmin se të dielën ishin përgatitur të shkonin në Malin e Krujës, për një drekë familjare. “Bëhu gati”,- i kishte thënë edhe Agimit, që të bashkohej me ta së bashku me vajzat dhe të afërmit e tjerë. Zëri përtej telefonit kishte ndjerë një reagim të dobët të bashkëbiseduesit dhe Arta tregon se ka dëgjuar fjalët e fundit të Agimit: Mirë, mirë! Flasim përsëri. Do takohemi.

Askujt nuk i shkonte ndërmend se këto fjalë do të ishin të fundit të jetës së Agim Maliqatit. Sapo ka ulur receptorin, diku nga ora 21.00 mendohet, se Maliqati ynë i paharruar ka konsumuar minutën e fundit të jetës. E para në shtëpi ka ardhur Majvina, e cila teksa e ka parë babanë e saj të shtrirë i thërret në emër për ta përmëndur. Por Agimi ndonëse kishte dhënë shpirt, ishte akoma i ngrohtë. Vajza e tronditur pa masë kuptoi se diçka kishte ndodhur me të atin, po kurrë, kurrë se ai tashmë kishte shkuar në parajsë. Ishte 1 maji i vitit 2012. Dita e largimit nga jeta e Agim Maliqatit, po kurrë nga memoria e dy vajzave të tij Majvinës dhe Suadës, e të motrës Dhuratës, por edhe e babait të tij që e kishte pikë të dobët Sulës sonë të mrekullueshëm. Dhe kjo memorie do të vazhdojë të punojë edhe kur është fjala për dajat e tij, të fisit të njohur e me themel në Durrës, Keçi, të futbollistëve dhe sportdashësve durrsakë, të qytetarisë së saj, të miqve e shokëve nga e gjithë Shqipëria. Jo më kot Sul Maliqati, teksa i shtrëngonin dorën e ngushëllimit për humbjen e të birit tha: “Në ngushëllimin e djalit ka ardhur e tërë Shqipëria. Nuk e kisha menduar se do të më bëhej ky nderim kaq i madh. Ua shpërblefsha të gjithëve në gëzime!”. Të martën në mëngjes, afishet e kishin bërë të njohur lajmin. Agim Maliqati, portieri i njohur i Lokomotivës dhe Teutës, i mbiquajtur në opinionin popullor si “djali i Sulës” ishte ndarë nga jeta si pasojë i një infarkti akut të miokardit, në moshën 51 vjeçare.

Në rrugën e babait

Sul Maliqati, i quajtur nga shtypi gjerman në vitin 1958 si “Macja e zezë” dhe që mbretëroi në portën shqiptare nga viti 1950 e deri në vitin 1964, më 7 shkurt 1961 u bë me djalë. Emrin ia vendosën Agim. Dhe ky djalë u bë vërtet agim për portën durrsake, por edhe të përfaqësueses së të rinjve dhe të ekipit Shpresa të Shqipërisë. Një fakt i çuditshëm e lidhi Agim Maliqatin me portën. I jati, Sula tregon: “As e kisha menduar se im bir do të ndiqte rrugën time. Kur ishte 13-14 vjeç luante me ekipin e basketbollit të fëmijëve të qytetit. Duhet të ketë qenë viti 1975, kur e mora Gimin me vete, pasi në Gjirokastër zhvillohej kampionati kombëtar i futbollit ndërmjet klasave sportive të qyteteve. Dhe unë drejtoja ekipin e Durrësit. Gjatë lojës portieri ynë dëmtohet. Rezervë nuk kishim. I thashë djalit, hajde babë futu në portë se s’kemi portier. Dhe kështu e nisi Agim Maliqati rrugën e portës. Jam mrekulluar kur e kam parë tim bir, të mbrojë me aq dëshirë, karakter dhe grintë portën e qytetit të tij. Në fund të lojës edhe Agimi u dëmtua nga guximi që tregonte në ndërhyrje”. Kështu, krejt natyrshëm, iu fut futbollit dhe zgjodhi rrugën e portës si dikur babai i tij.

Karriera

Në raport me rrugën e futbollit që preferoi të ndjekë, është krejt normale që Agimi të regjistrohej në shkollën e mesme të mjeshtrisë sportive në Durrës, në degën e futbollit. Më pas atë e mbaroi në Tiranë dhe në periudha të veçanta mbaroi edhe Akademinë e edukimit fizik dhe sportiv. Seleksionuesi i papërsëritshëm i talenteve të futbollit durrsak Filip Xhai, e përfshiu Agimin në ekipin e 17-vjeçarëve të Lokomotivës. Por për 3 vite, ai mori leksionet më të vyera të “shkollës” unikale të portierëve me profesor të madhin Sul Maliqati. Ky ishte fati dhe shansi që Gimi e trashëgoi nga i jati. Trajneri i ekipit përfaqësues të të rinjve Miço Ndini, e grumbulloi Maliqatin e vogël në seleksionin e ndërtuar prej tij dhe me të u përfaqësua në kampionatin ballkanik, organizuar në Bullgari në vitin 1979. Në atë kohë bëri bujë, sepse shqiptari Agim Maliqati u vlerësua portieri më i mirë i ballkaniadës. Vetëm 18 vjeç Maliqati thithet nga ekipi i parë i Lokomotivës dhe bëhet ndër ruajtësit e portës. Naim Dollaku largohet nga kuadrati dhe në vend të tij Vladimir Ajazi, i cili bënte rrokadë të vazhdueshme me Agim Maliqatin. Mosha shumë e re në aktivizim, bëri që ai të rrokë përpjekjet me emra të njohur të futbollit durrsak si vëllezërit Ballgjini, Koka, Miha, Hima, Filjari, Meta, Engjëlli, Jani, Çela, Oketa, Furrxhi, Abazi, Kallço, Disha etj. Kur ishte me Lokomotivën Agimi është thërritur disa herë në ekipin përfaqësues Shpresa, ku kulmon kalimi deri në turin çerekfinal në rang europian në vitin 1983. Për këtë ekziston edhe një çertifikatë vlerësimi me firmën e Mehdi Bushatit, drejtuesit kryesor të atëhershëm të futbollit shqiptar. Emri dhe fama e Agim Maliqatit ishte mjaft e madhe. Kur kryen detyrën e shërbimit ushtarak, klubi Vllaznia u tregua i vëmendshëm dhe e thërret Agimin nën “armë” në ekipin e saj të futbollit. Periudha 1985-1988, mbetet tjetër kapitull i artë i Maliqatit, tanimë në ruajtje të portës shkodrane. Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë në vitin 1987, ka portier Agim Maliqatin. Tjetër klub që shtrin duart për të “përqafuar” karrierën e Maliqatit është Traktori i Lushnjës. Madje Agimi punon edhe si arsimtar në këtë qytet. Lushnjarët nuk do ta harrojnë kurrë durrsakun Maliqati, që në vitin 1990 i riktheu në kategorinë e parë. Dhe në mënyrë krejt normale, karriera e këtij gardiani të portës u mbyll në Durrës, pikërisht në atë qytet ku ai grisi pantallonat e para për të ruajtur portën, u gjakos në dheun gur të portave hungareze, ku dhe i ati, Sula, punoni me të për vite e vite të tëra. Kam qenë dëshmitar okular, kur më 3 nëntor 1992 portën e Teutës e mbronte Agim Maliqati, gjatë ndeshjes me ekipin Edessaikos të Greqisë, në kuadrin e kupës ballkanike. Përvoja e madhe e grumbulluar, ishte kthyer në esencë për brezat e rinj të futbollit në Durrës që kishin fatin e madh të kishin si trajner dhe mësues Agim Maliqatin. Agimi me punën e tij, ka meritën e pazëvëndësueshme të përgatitjes apo të ndihmës së dhënë për portjerët e njohur Xhevahir Kapllani, Orges Shehi, Bledian Rizvani, Alfred Osmani etj. Trajner i ekipeve të moshave, të të rinjve të Teutës, trajner i portjerëve në ekipin e parë etj. janë të tjera ndihmesa të çmuara të investuara nga Agim Maliqati për qytetin e tij të lindjes, Durrësin.

Epilogu

Humbja është e madhe, e pazëvendësueshme. Majvinës dhe Suadës, këtyre dy vajzave që vazhdojnë masterin në gjuhën angleze, lotët i janë mbaruar. Ata kujtojnë nënën e tyre të paharruar Adelinën, e cila i nxiti të ndjekin rrugën e saj në gjuhën angleze dhe që është ndarë nga jeta pas një sëmundje të pashërueshme në vitin 2002. Dhe pas 10 viteve humbin edhe babain e dashur. Por ato dy vajza të zgjuara dhe të bukura si zana, e ndjejnë se nuk janë vetëm. Pranë tyre është gjyshi me zemër të madhe Sula, por edhe fisi i Keçëve fisnikë, halla e tyre Dhurata, teze Arta dhe shumë e shumë të afërm të tjerë. Ata sigurisht do të bëhen vajza të denja për shoqërinë. Por kurrë nuk do të harrojnë prindërit e tyre të shtrenjtë Adelinën dhe tani edhe Agimin, që sakrifikuan dhe u përkushtuan shumë ndaj tyre. Agim Maliqatit iu dha lamtumira e fundit pasditen e 2 majit. Mbetet nga varrimet më madhështore në Durrës. Një popull i tërë luajti nga vendi, për t’u përshëndetur për herë të fundit me Agim Maliqatin. E madhe humbja! E madhe dhimbja! Por shumë më e madhe miqësia dhe dashuria që u shpreh për Agim Maliqatin. Dhe Sul Maliqati pret e përcjell çdo ditë qindra njerëz. Dhe vazhdimisht si një refren përsërit: Ju faleminderit! Jua shpërblefsha në të mira dhe gëzime!