Një mbrëmje e veçantë artistike me mjaft emocione u mbajt për publikun durrsak në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
“Pranvera filloi me ardh’” titullohej koncerti që u zhvillua për herë të parë për këtë sezon në skenën e teatrit tonë me një program të larmishëm nga orkestra frymore Durrës e përbërë prej 27 personash.
“Kemi përgatitur një program të përbërë nga numra të zgjedhur nga krijimtaria e autorëve shqiptarë dhe të huaj, janë numra solistikë për këngëtarin, po ashtu edhe të transkriptuara për orkestrën frymore. Ky koncert ka të veçantë pasi shfaqet edhe një dokumentar mbi historikun e bandës, për të cilën të gjithë ne anëtarët e kësaj orkestre frymore jemi krenarë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm për të çuar më lart emrin e okrestrës frymore të qytetit të Durrësit”, shprehet drejtuesi i orkestrës Saimir Kalaja.
Për artisten shumë të dashur durrsake Olta Juba, ishte një kënaqësi e veçantë të këndonte në këtë skenë që ajo e konsideron si shtëpinë e saj të dytë me dy këngë me të cilat është shpallur solistja më e mirë.
“Jam shumë e lumtur që jam e ftuar nga okrestra frymore e Durrësit, të jem pjesë e këtij koncerti të parë të sezonit. Jam e lumtur dy herë pasi repertori është i njëjti që orkestra fitoi dy çmime në festivalin e bandave të të gjithë Shqipërisë, ku me të dyja pjesët që performoj sonte pata fatin të shpallem si solistja më e mirë e vitit. Për mua është gjithnjë kënaqësi të këndoj në këtë skenë, që është shtëpia jonë e artistëve durrsakë”, thotë Olta Juba.
Nën prezantimin e Adelina Gjojdeshit, koncerti emocioni të pranishmit me pjesë të zgjedhura nga repertori vokalo-sinfonik i autoreve të huaj, por dhe atyre shqiptarë, si Georges Bizet, Pietro Mascagni, Giuseppe Verdi, Prenk Jakova, Johann Strauss, etj.