Pas humbjes me Skënderbeun, që ishte e katërta në këto shtatë javë kampionat, stafi teknik akordoi një ditë pushim për lojtarët. Për mënyrën se si erdhi disfata ndaj bardhekuqve, zhgënjimi është shumë i madh, jo vetëm te drejtuesit dhe stafi teknik, por edhe te vetë lojtarët. Gugash Magani ishte ndër të vetmit që pakënaqësitë e tij ndaj skuadrës i shfaqi haptazi, por pranoi se edhe ai është përgjegjës për këtë ecuri.

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri peqinas nuk takoi asnjë nga lojtarët, madje nuk preferoi të shkonte as në dhomën e zhveshjes siç bën zakonisht. Mospërsëritja e këtij rituali tregon qartë se Magani ndihet “i tradhtuar” nga disa lojtarë për performancën e tyre në fushë. Kjo nuk është hera e parë që durrsakët gabojnë, pasi po t’i marrim ndeshjet me radhë, më shumë se për meritë të kundërshtarit, “Djemtë e Detit” janë ndëshkuar nga gabimet e tyre.

E nisim që nga humbja me Flamurtarin (1-2) në “Niko Dovana”, u ndëshkuan pas vetëm 3 minutash lojë. Barazimi (1-1) me Kamzën në transfertë (Hrkaç shkaktoi penallti në fund të ndeshjes), për të vazhduar me humbjen me Partizanin (1-2), që edhe pse ishin në avantazh u shpërfytyruan në të dytën. Më pas erdhi humbja me Kukësin (4-2), ku edhe ndaj kampionëve pati jo pak gabime dhe në fund disfata me Skënderbeun që i vë kapakun.

Bregdetarët e nisën shkëlqyer ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh, por në të dytën mjaftuan tri gabime radhazi për ta parë veten në tapet. Kjo humbje tregoi qartë se disa futbollistë nuk e kanë eksperiencën e duhur të përballojnë presionin, por edhe të mbajnë përgjegjësi për gabimet e tyre.