Informacionet e fundit të Football Leaks zbulojnë se Reali i Madridit ishte gati të paguante 214 milionë euro për të përfituar shërbimet e francezit Kylian Mbappe. Sipas artikullit të publikuar nga e përditshmja franceze L’Equipe, në verën e vitit 2017 klubi “merengues” pati arritur një marrëveshje paraprake me Monacon për transferimin prej 180 milionë eurove dhe një pagesë prej 34 milionë eurosh taksash, me operacionin që pritej të mbyllej për totalin e 214 milionë eurove, por në vend të klubit mbretëror Mbappe preferoi ofertën e PSG-së, që ishte më joshëse. Monaco vendosi vetëm një kusht për PSG: oferta e kampionëve të Francës thjesht duhet të ishte më e lartë se e Realit. Pjesa tjetër e ngjarjeve tashmë dihet. PSG nuk u mendua dy herë dhe tratativat u mbyllën ditën e fundit të merkatos.

Por, paraprakisht, Reali kishte zhvilluar një sërë takimesh me Mbappenë, që asokohë ishte vetëm 18 vjeç, dhe familjen e tij, të cilët  kërkonin një impenjim financiar prej 30 milionë eurosh për sulmuesin. Klubi mbretëror kishte dyshime për të investuar shuma të tilla tek një lojtar kaq i ri dhe zgjodhi të tërhiqej, duke mos e rritur ofertën.

Me kalimin e tij te klubi i sheikut Al-Khelaifi, Mbappe vendosi disa kushte, siç ishte bonusi prej 5 milionë eurosh për firmosjen e kontratës, plus një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh neto. Gjithsesi, edhe PSG kishte disa kushte për lojtarin, si objektivin për të fituar trofeun e Topit të Artë. 19-vjeçari duket se është në rrugën e duhur për të përmbushur pritshmëritë ndaj tij.

Mbappe kërkoi rritjen e pagës së tij me 30 milionë euro në sezon në rast përmbushjeje të kësaj pritshmërie, çka do ta kthente atë në lojtarin më të paguar të skuadrës kryeqytetase, por París Saint Germain e refuzoi kërkesën e tij, duke rënë dakort t’i paguanin 500.000 euro neto lojtarit në rast se do të fitojë trofeun prestigjioz.