Sipas raportimeve aktuale të mediave në Gjermani, Joshua Kimish është afër vazhdimit të kontratës me Bajernin. Drejtori sportiv Kristof Frojnd ka dhënë një përditësim mbi kontratën e mesfushorit. “Sky” njoftoi të enjten vonë në mbrëmje se Bajern kishte arritur një marrëveshje verbale me 30-vjeçarin. Bordi mbikëqyrës i klubit me bazë në Mynih thuhet gjithashtu se ka dhënë miratimin e tij për një kontratë katërvjeçare deri në vitin 2029. Sipas kësaj, ka pasur bisedime të drejtpërdrejta mes Kimish dhe drejtuesve, përfshirë Uli Hënes dhe Karl-Hainc Rumenige. Sipas informacioneve të “Sky”, e vetmja gjë që mungon është nënshkrimi i Kimish në kontratën e re.
Bavarezët aktualisht janë duke përgatitur kontratat përfundimtare.Nuk ka gjasa që zgjatja të shpallet këtë javë. Në Mynih, synimi është që të finalizohet para ndeshjes së dytë të raundit të 16-të të Ligës së Kampioneve kundër Bajer Leverkusenit. Drejtori sportiv i Bajernit, Frojnd, ishte i rezervuar në këtë drejtim:“Aktualisht nuk ka asgjë për të njoftuar. Ka pasur shumë spekulime dhe diskutime në javët dhe ditët e fundit. Së shpejti do të merret një vendim. Të gjitha palët janë në komunikim të hapur. Dje ishim në Sabener Strase dhe pati një shkëmbim.
Nëse ka diçka për të njoftuar dhe kjo do të ndodhë së shpejti, ne do ta bëjmë atë”, shpjegoi ai në konferencën për shtyp para ndeshjes së Bundesligës kundër Bohumit. Ditët e fundit, Kimish është lidhur vazhdimisht me një lëvizje jashtë Gjermanisë. PSG në veçanti luftoi intensivisht për mesfushorin. Sipas raportimeve, Joshua kishte një kontratë nga PSG gati për nënshkrim. Megjithatë, siç ka mësuar “mjeshtri” i raportimeve mbi lëvizjet e lojtarëve Fabricio Romano, nuk ka pasur asnjëherë bisedime të avancuara me një klub tjetër, por vetëm “qasje”.