30 korrik 2015 – Kryeministri Edi Rama duket se është nxituar shumë kur premtoi dhe deklaroi se ndeshja historike e kthimit Shqipëri-Serbi, do të zhvillohej në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, pa marrë konfirmimin e UEFA-s dha pa nisur ende puna për rikonstruksionin e stadiumit.
Qeveria shqiptare dhe FSHF-ja kanë ndryshuar në mënyrë të befasishme, brenda 24 orëve, vendin e zhvillimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se anulimi i ndeshjes në Shkodër, ka ardhur pas kërkesës së UEFA-s, por FSHF nuk e publikon kërkesën e UEFA-s, çka nënkupton se e vërteta është ndryshe.
Por, cilat janë paraskenat e këtij vendimi?
Visho Ajazi Lika dhe Haki Çako, në bazë të informacioneve të mbledhura, nuk kanë dhënë garanci për zhvillimin e ndeshjes në Shkodër. Lika dhe Çako kanë thënë se dispononin informacione për persona të rrezikshëm, të infiltruar dhe të kamufluar si tifozë, të cilët po planifikonin akte terrori dhe provokacione, me qëllim prishjen e ndeshjes, dëmtimin e kombëtares shqiptare dhe të imazhit të Shqipërisë. Për shkak edhe të terrenit si dhe të pozicionit, Shkodra favorizonte akte të tilla, ndërsa e bënte më të pamunduar parandalimin nga institucionet e sigurisë.
Në takim është prezantuar plani i masave ekstreme për të parandaluar dhe bllokuar çdo individ të rrezikshëm. Por, ky plan mund të ishte më efikas dhe i zbatueshëm në Elbasan, pasi territori është më i kontrollueshëm dhe i menaxhueshëm. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga ky takim, kur është publikuar një njoftim për anulimin e zhvillimit të ndeshjes së Shkodër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/