12 janar 2015 – Nuk kanë fund lajmet për Andi Lilën. Mediat italiane dhe greke zbulojnë një tjetër prapaskenë. Lila nuk është blerë ende nga klubi i Parmës. Lojtari është marrë vetëm në huazim nga Janina deri në fund të këtij sezoni dhe më pas, në qershor të këtij viti, ka një opsion për blerje të kartonit. Kësisoj, në rast shitjeje të kartonit, të dyja klubet, Parma dhe Janina, do të ulen sërish për të përfunduar bisedimet për kalimin me titull përfundimtar të Lilës te skuadra emiliane. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtori Sportiv i Parmës, Antoneli Preiti. Në një prononcim dhënë “tuttomercattoweb.it” dhe “sport24.gr”, ky i fundit ka theksuar pa asnjë ekuivok se Lila nuk është blerë ende nga Parma.
“Kemi marrë atë djalë në formë huazimi dhe kemi lënë një opsion për ta blerë në fund të sezonit. Nuk do më pëlqente që të flisja për pjesën ekonomike të kësaj marrëveshjeje, pasi gjykoj se është një e drejtë që mbetet në dorën e të dyja klubeve”, ka thënë Preiti.
Ndërkohë, duhet thënë se në fund të vitit të shkuar dhe në ditët e para të janarit, mediat greke, duke iu referuar burimeve nga klubi i Janinës, patën deklaruar edhe termat ekonomikë. Kështu, lojtari do të përfitonte 450 mijë euro rrogë në vit te Parma, teksa dy klubet kishin rënë dakord për të fiksuar një çmim prej 1.2 milionë eurosh për kartonin e Lilës. Nga ana tjetër, vetëm lojtari pat theksuar se firmosi një kontratë 3.5- vjeçare me klubin emilian (deri në qershor të 2018-ës), teksa bazuar në deklaratën e drejtorit sportiv, duket se një akord i tillë vlen me lojtarin, por nuk është përfunduar mes klubeve. Vetë Lila ka konfirmuar se pranoi që të mos merrte nga Janina rrogat e prapambetura (rreth 100 mijë euro), vetëm që të largohej nga ajo skuadër në drejtim të Parmës.
Ndërsa, më pas u zbulua edhe një tjetër fakt interesant: klubi i Janinës do të mbante më shumë se 25 për qind të kartonit të Lilës. Kjo gjë vërtetohet edhe nga të dhënat e uebfaqes “transfermarkt.de”, e cila përditëson të gjitha lëvizjet e lojtarëve në botë, duke iu referuar edhe shumave që paguhen për kartonët e tyre. Në rastin e Lilës, kjo faqe e specializuar për merkaton konfirmon se për Lilën është rënë dakord pagesa e 800 mijë eurove nga Parma te Janina. Gjithsesi, një gjë e tillë duket se do të përfundojë vetëm në qershor të këtij viti, kur huazimi i Lilës të kthehet në blerje të kartonit nga klubi italian. Kujtojmë që president (ndonëse i pashpallur dhe jozyrtar) i Parmës është biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, pavarësisht se aktualisht këtë detyrë e ka Fabio Xhiordano.





