DURRËS, 5 tetor 2014 –  Këtë periudhë vendin e kanë pushtuar dasmat luksoze të edvinistëve, me evente që kushtojnë qindra mijëra euro, të cilat u bëjnë karshillëk mijëra qytetarëve të papunë apo në vështirësi ekonomike. Pas shpenzimeve faraonike të Erion Veliajt në Gjirokastër, dje në Petrelë ka qenë radha e Artan Gaçit dhe Olta Xhaçkës, një dasmë e lindur fiks brenda gjirit të partisë, e cila para një muaji la therror edhe martesën e parë të dhëndrit.

    Përsëri dasmë socialiste dhe përsëri në një kala monument kulture. Mesa duket, për qeveritarët socialistë, s’ka vend të tjera të përshtatshme për të kremtuar lidhjen e kurorës, veç monumenteve historike. Pas megadasmës së ministrit të Mirëqenies Personale, Erion Veliaj me avokaten Ajola Xoxa në Kalanë e Gjirokastrës, monument kulture, një tjetër dasmë në radhët e PS u kremtua dje në Kalanë e Petrelës. Dy deputetët e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçe dje janë kurorëzuar në martesë. Ceremonia e dasmës mes deputetit 45-vjeçar dhe deputetes 35-vjeçare u zhvillua në kalanë e Petrelës. Të ftuarit e dasmës kanë qenë të afërmit, miq dhe kolegët e çiftit. Pjesëmarrës ishte edhe çifti kryeministror, Edi dhe Linda Rama. Ndryshe nga dasma e ministrit të tij Veliaj, ku Rama refuzoi të shkojë madje edhe ka zgjedhur të heshtë për dyshimet e ngritura mbi burimet financiare të organizimit të dy dasmave luksoze, dje kryeministri dhe bashkëshortja e tij janë parë në dasmën e Xhaçkës dhe Gaçes. Edhe kjo dasmë, është identike për nga organizimi me atë të Veliajt. Sikurse në dasmën e ministrit, edhe kjo e deputetit Artan Gaçe u zhvillua në një monument kulture, të mbrojtur nga shteti, në Kalanë e Petrelës. Sikurse i pari, edhe i dyti kanë zgjedhur të fshehin burimet financiare të organizimit të këtyre dasmave luksoze dhe të denja veç për yjet e Hollivudit. Sikurse i pari, edhe i dyti kanë përfshirë strukturat qeveritare në organizimin e këtyre aktiviteteve, duke abuzuar pastër me pushtetin. Këtë periudhë vendin e kanë pushtuar dasmat luksoze të socialistëve, por në fakt, nga ana tjetër, përballë këtyre eventeve që kushtojnë qindra mijëra euro, qëndrojnë qytetarë të papunë dhe mijëra të tjerë në gjendje të vështirë ekonomike. Shpenzimet faraonike, paraja lumë rrugëve sa në Gjirokastër aq dhe në Petrelë, përfshirja e strukturave qeveritare atje në organizimin e aktivitetit është një abuzim me pushtetin, është një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqija të ekonomisë dhe gjendjes sociale. Erjon Veliaj dhe Artan Gaçi e Olta Xhaçka mund të kenë ftuar mijëra vetë në dasmat e tyre, e mund të kenë shpenzuar qindra mijë euro për shandanë, koktejle, e luks sallonesh, por janë mijëra qytetarë që mezi mbyllin muajin, janë mijëra që kanë humbur vendet e punës, janë mijëra që marrin gjithnjë me vonese ndihmën sociale, janë mijëra të tjerë që tjetër gjë prisnin nga ky ministër, nga kjo qeveri. Ndryshimi i vetëm mes dy protagonistëve të dasmave luksoze është se abuzimin në kalanë e Petrelës e bekoi edhe vetë Edi Rama me zonjën e tij, ndryshe nga indiferenca që i la Erjon Veliajt.

 / marrë nga “Gazeta 55”/