Kalimi i shërbimit të policisë zjarrfikëse në varësi të bashkive ka rritur detyrat për investime të njësive vendore në blerjen e mjeteve zjarrfikëse.
Në qarkun e Durrësit bashkia e Krujës është “ku thërret qameti” sepse ka vetëm një makinë edhe ajo i përket vitit 1970, në gjendje shumë të amortizuar.
Mjetet zjarrifikëse janë të amortizuara edhe në bashkinë e Durrësit, por mbahen në këmbë, nga vetë stafi i cili u kryen shërbimet e duhura.
Të përballesh me zjarret në stinën e verës është mjaft e rrezikshme në të tilla kushte, zjarrfikësit janë heronj, por që prej tyre pritet gjithmonë gadishmëri.
Problemet e zjarrfikësve janë diskutuar në prefekturë ku të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit e njësive administrative të qarkut Durrës, të Shërbimit Pyjor, të stacioneve zjarrfikës etj. Prefekti Roland Nasto ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile për parandalimin e vatrave të zjarrit, dhe për të marrë masat e nevojshme nga të gjitha njësitë administrative në rang qarku.
Në mbledhje u diskutua situata reale që paraqitet si dhe u hartuan plane pune parandaluese. Prefekti ka kërkuar një rritje të mëtejshme të bashkëpunimit ndërinstitucional për evidentimin e shpejtë të vatrave të mundshme të zjarrit si dhe vënien e tyre nën kontroll.
“Në përballimin e emergjencave”, ka vijuar prefekti Nasto, “duhet bërë edhe sensibilizimi i duhur i opinionit publik dhe ndërgjegjësimi për dëmet që rrjedhin nga zjarret gjatë verës”.
Ai vuri edhe detyra konkrete të punës së reparteve zjarrfikëse, policisë vendore, forcave të armatosura si dhe administratorëve të njësive vendore që kanë sipërfaqe të mëdha pyjore. Prefekti tha se sëshpejti pritet blerja e një automjeti nga bashkia e Krujës për shërbimin zjarrfikës.
Qarku Durrës ka një fond pyjor prej 7800 hektarësh dhe rreziku nga zjarret kryesisht ato të qëllimshme, mbetet real.
K.H.





