- Vëmendja u përqendrua kryesisht në boshtin rrugor “Mbikalimi i Shkozetit- Plepa”; segmenti Ura e Dajlanit-Plepa (plazh) dhe nënkalimi Ura e Dajlanit; Plepa-Ndroq (Tiranë); segmenti Kameras -Manëz e vjetër; rruga dytësore Plepa-Golem; boshti Maminas-Gjiri i Lalëzit; segmenti hotel Vollga-Currila; boshti Durrës-Porto Romane.
Më 3 korrik 2020, nën drejtimin e Prefektit të qarkut Durrës Roland Nasto, u zhvillua një takim, ku ishin të pranishëm përfaqësues të drejtorisë vendore të policisë së qarkut për rendin dhe sigurinë publike, policisë bashkiake, ndërmarrjes Rruga në bashkinë Durrës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, thuhet në një njoftim të institucionit të Prefektit..
U diskutua mbi nevojat për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës gjatë sezonit turistik veror 2020. Në takim u bë një panoramë e përgjithshme e të gjithë problematikave në të të gjithë boshtet rrugore në nivel qarku dhe në veçanti të atyre në zonat turistike. U kërkua rritja e parametrave të sigurisë, mirëmbajtja, infrastruktura rrugore dhe sinjalistika.
Prefekti Nasto theksoi bashkërendimin ndërinstitucional të strukturave të përfshira në masat me përparësi për sa u përket boshteve rrugore dhe sigurinë e tyre për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve dhe parandaluar aksidentet, krijuar infrastrukturën e domosdoshme për një sezon turistik sa me cilësor.
Vëmendja u përqendrua kryesisht në boshtin “Mbikalimi i Shkozetit- Plepa”; segmenti Ura e Dajlanit-Plepa (plazh) dhe nënkalimi Ura e Dajlanit; Plepa-Ndroq (Tiranë); segmenti Kameras -Manëz e vjetër; rruga dytësore Plepa-Golem; boshti Maminas-Gjiri i Lalëzit; segmenti hotel Vollga-Currila; boshti Durrës-Porto Romane.
Në këtë takim u lanë detyra konkrete për të gjithë strukturat e pranishme si dhe u përcaktuan të zhvillohen takime të tjera për të parë ecurinë e detyrave të lëna.
Prefekti Nasto la detyrë për marrje masash në drejtim të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë si dhe mjeteve të furnizimit të subjekteve që të kryhen në orët e natës gjatë periudhës së sezonit turistik veror.
Në takim u trajtuan edhe dy çështje të rëndësishme siç janë dukuria e lypjes dhe ndotja akustike, për të cilën Prefekti i Qarkut Nasto kërkoi bashkëpunim ndërinstitucional për menaxhimin sa më me efikasitet të këtyre problematikave.





