Prefekti i Durrësit ka mbledhur drejtuesit e institucioneve kryesore të qytetit, duke dhënë edhe udhëzimet e fundit, për marrjen e masave konkrete për menaxhimin e situatave në shërbim të komunitetit.
“Duhet t’i shoqërojmë këto festa me një frymë të plotë rendi, sigurie, qetësie, në bashkërendim me njëri-tjetrin. Policia e shtetit, e qarkullimit rrugor, e portit, OSHEE-ja, Spitali, Ujësjellësi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Rrugëve, të gjithë duhet të jeni në gatishmëri për çdo problematikë që mund të ketë! Kërkojmë që ndaj qytetarit të ketë shërbime cilësore, të mira, që festat të kalojnë pa asnjë problematikë!”, ishte apeli që dha Roland Xhelilaj në takim.
Prefekti deklaroi se shtabi i emergjencës do të jetë në gatishmëri për çdo ditë të vitit, edhe gjatë festave. “Do të ketë shërbim në prefekturë, çdo ditë të vitit, dhe duhet të jemi të koordinuar”, nënvizoi prefekti.
K.H.





