Prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj ka mbledhur shtabin e emergjencës civile, në përbërje të cilit janë drejtuesit e institucioneve kryesore në nivel prefekture. Në raportin e mbajtur, prefekti Xhelilaj ngriti si probleme që shqetësuan komunitetet e banorëve në Durrës, Shijak e Krujë, përmbytjet, mungesën e sinjalistikës rrugore dhe çështjet e mprehta mjedisore me të cilat u përball bashkia Durrës disa javë më parë. Një vëmendje e veçantë iu dha problemit të ndotjes që shpërtheu në plazhin e Durrësit, disa javë më parë ku qindra ton hidrokarbure të djegura ndotën vijën bregdetare në një gjatësi prej 3 km, ngjarje kjo pa autorë.
“Strukturat e shtetit dështuan në menaxhimin e situatës paraprakisht, sepse nuk kishin informacionin e duhur, për monitorimin e situatës. Media i parapriu dhe e falënderojmë”, deklaroi prefekti. “Çështja e ndotjes së plazhit evidentoi disa mangësi të strukturave të shtetit e të mjedisit. Strukturat përgjegjëse të monitorimit të situatave nuk e dhanë informacionin, sepse nuk kishin informacion. Media i parapriu situatës kur strukturat nuk dinin gjë. Kjo tregoi që jo të gjitha institucionet e kanë të qartë rolin që ato kanë për përballimin e ndotjeve dhe detyrimet që kanë për koordinimin e situatës me shtabin e emergjencave. Ndarja e re territoriale krijon të tjera situata dhe të tjera detyra do të jenë për çdo strukturë në këtë drejtim”, nënvizoi prefekti.
Në mbledhje kanë folur për sa i përket situatave të emergjencave si pasojë e përmbytjeve, kreu i bashkisë së Krujës Artur Bushi, ai i Shijakut Ardian Kokomani, ndërsa detyra u janë lënë strukturave si bordi i kullimit për të kryer ndërhyrje të menjëhershme në zonat e nxehta.
K.H.