Në orët e para të mëngjesit, dalja nga shtrati e Lumi Erzen dhe rritja e nivelit të ujit krijuan një situatë emergjente në Katund i Ri, në zonën pranë Lapidarit.
Prefekti i Qarkut Durrës, Adrian Gurra, së bashku me përfaqësues të Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Bashkisë, Policisë dhe strukturave të tjera, kanë koordinuar veprimet për përballimin e situatës dhe monitorimin e zonave të rrezikuara.
Pas kërkesës për mbështetje urgjente, në zonën e Sukth kanë ndërhyrë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë me mjete të kalueshmërisë së lartë, motogomone dhe motopompë me kapacitet të madh për largimin e ujit.
Autoritetet bëjnë me dije se situata është aktualisht nën kontroll, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina në lumenj e kanale kulluese, pasi rritet rreziku i përmbytjeve.
Njoftimi i plotë:
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në kushtet e situatës emergjente të krijuar nga dalja nga shtrati e Lumi Erzen dhe rritja e nivelit të ujit në Njësinë Administrative Katund i Ri (zona tek Lapidari), Prefekti i Qarkut Durrës z. Adrian Gurra, Sekretari i Përgjithshëm z. Edison Jonuzi, Specialisti i Emergjencave Civile në Prefekturë z. Orges Priftaj , në bashkëpunim me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Besnik Hysaj, Kryetarin e Njësisë Administrative Katund i Ri, z. Julian Marku, përfaqësues nga Bashkia Durrës, strukturat e Ujësjellës-Kanalizimeve, Bordi i Kullimit, Policia Shtetit, Policia Bashkiake si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, kanë organizuar veprimet për menaxhimin e situatës dhe përballimin e pasojave të përmbytjeve, duke garantuar mbështetje të menjëhershme për banorët dhe monitorim të vazhdueshëm në terren.
Në vijim të kërkesës së Prefektit për mbështetje urgjente, strukturat e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura kanë reaguar menjëherë dhe ndodhen në detyrë në zonën e Sukth me:
.2 mjete të kalueshmërisë së lartë
.2 motogomone me motor dhe 1 gomone me lopata
.1 motopompë me kapacitet të madh thithës
Situata është aktualisht nën kontroll të plotë. Të gjitha strukturat e angazhuara po veprojnë në koordinim të ngushtë dhe monitorojnë me kujdes çdo zonë të riskuar. Prefekti u bën thirrje qytetarëve për vëmendje dhe ndërgjegjësim , veçanërisht për mos hedhjen e mbeturinave në lumenj dhe kanale kulluese, pasi kjo rrit riskun nga përmbytjet dhe vështirëson punën e strukturave në terren.
Institucioni i Prefektit garanton frymën e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha institucionet në nivel vendor dhe qendror, duke siguruar koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm për parandalim dhe lajmërim të hershëm, si dhe reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo situate emergjente, me prioritet mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.





