Përgatitjet për sezonin e ri turistik me sa duket e kanë gjetur të papërgatitur bashkinë e Durrësit. Ky fakt është bërë evident në mbledhjen e iniciuar nga prefekti Genc Alizoti për masat që duhen ndërmarrë për sezonin e ri turistik, ku nuk kanë munguar dhe akuzat e drejtpërdrejta që kreu i Prefekturës ka bërë ndaj drejtuesve të njësive vendore në përgjithësi dhe Bashkisë së Durrësit në veçanti.

Duke ju referuar edhe problematikës së sezonit të kaluar, prefekti Alizoti ka kërkuar që të ketë një raport më të drejtë mes plazheve publike dhe atyre private, në mënyrë që të mos diskriminohen qytetarët të cilët nuk kanë mundësi të pushojnë në plazhe me pagesë. Po kështu, Alizoti ka kërkuar që rojet bregdetare të funksionojnë që në fillim të sezonit turistik, pasi në sezonin e kaluar janë shënuar viktima nga mbytjet që mund të ishin limituar nëse do të funksiononin këto qendra.

Po kështu, Bashkisë së Durrësit dhe njësive të tjera vendore ju është tërhequr vëmendja për sa i përket tabelave të informacionit dhe sinjalistikës. Kritika ka pasur dhe në lidhje me mungesën e aktiviteteve kulturore, në një kohë që janë vlerësuar investimet e qeverisë për sa i përket projektit prej 30 milion euro për shtimin e sasisë së furnizimit me ujë të pijshëm në segmentin Përroi i Agait-Plepa, përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në segmentin Aragosta-Currila, projektin prej 107 milion lekësh për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në segmentin Arapaj-Plepa, përmirësimin cilësor të furnizimit me energji elektrike në zonën e plazhit etj.

 

Prefekti Alizoti akuzoi kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako për çështje që kanë të bëjnë me raportet mes plazheve publike dhe private, mos funksionimin e qendrave të rojës bregdetare, mungesën e sinjalistikës dhe aktiviteteve kulturore. Nga ana e tij, Dako tha se pa miratimin e buxhetit nuk mund të ketë dizinfektim të rërës, roje bregdetare dhe aktivitete kulturore

Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka reaguar duke deklaruar se problemet e turizmit lidhen drejtpërdrejtë me buxhetin. Sipas Dakos nuk mund të ketë dizinfektim të rërës, funksionim të rojës bregdetare dhe aktivitete kulturore nëse nuk ka para. Dako ka përmendur si shembull mos miratimin e këshillit kulturor, duke akuzuar këshilltarët e djathtë për politika bllokuese ndaj bashkisë së Durrësit.

Duke ju referuar një shembulli në zonën bregdetare, Dako evidentoi se çdo familje paguan një taksë pastrimi prej 7 euro dhe nëse kjo shumëzohet me numrin e 40 mijë familjeve, vlera e përgjithshme arrin në 280 mijë euro. Sipas tij, për pastrimin e bregdetit duhen 2 milion euro. Për sa i përket mbeturinave në periferi të qytetit bregdetar kreu i bashkisë ja ka faturuar përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit, e cila sipas tij ka të drejtën e dhënies së koncesioneve. Duke u ndalur në çështjen problematike të raporteve mes plazheve publike dhe private, ku ka pasur akuza të forta ndaj Bashkisë së Durrësit, Dako deklaroi se rruga e vetme e zgjidhjes së kësaj problematike është rritja e çmimit të sipërfaqeve të rërës në përdorim nga privatët.

Sipas tij, ndonëse çmimi arriti në 300 mijë lekë të reja, përsëri nuk munguan ofertat nga privatët. Gjithsesi, Dako nuk ka përjashtuar një vendim të Këshillit Bashkiak për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në takim është evidentuar dhe problematika e rënduar e mjedisit në zonën e lumit Ishëm. Sipas kreut të zyrës së mjedisit, Ramazan Kalija, situata në këtë zonë po merr përmasa alarmante.