Prej 17 vitesh Fuat Qezma çalonte dhe kishte vështirësi të mëdha në të ecur, për shkak të një tragjedie që i kishte ndodhur në vitin e mbrapshtë 97’ në Shqipëri.

Fuat Qezma iu drejtua emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 me një kërkesë të thjeshtë, një protezë për këmbën e tij.

Fuati, 51 vjeç, banon në Shkozet të Durrësit dhe ka humbur njërën këmbë në vitin 1997 si pasojë e një shpërthimi me dinamit.

Për 17 vjet ka mbajtur një protezë prej druri të sajuar vetë dhe jeton me bashkëshorten e tij të sëmurë. Për shkak të protezës së papërshtatshme me zor ecën dhe madje i shkakton edhe dhimbje. Por edhe për Fuatin ka një dorë që shtrihet për ta ndihmuar.

Elvis Naçi i ka siguruar protezë për këmbën dhe ai mezi po pret t’i rikthehet punës. Tani ai ndihet me vlerë dhe i lumtur. Tashmë edhe e ecura e tij është normale, ndërsa sytë i mbushen me lot kur takon Naçin./News24