Pas viteve ’90, në fshatin Selicë, nuk është parë kurrë asnjë ministër i çdolloj force politike. Banorët e fshatit më të thellë të Burrelit, me kërkesat më urgjente siç është rruga që i lidh me gjithë pjesën tjetër të vendit, kanë mirëpritur ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila u dha atyre lajmin për ndërtimin e rrugës.
“Rrugën që ju dhe fëmijët tuaj përshkoni çdo ditë, sot e kalova vetë dhe e pashë sa e madhe është sakrifica që ju bëni prej vitesh, për të arritur në një qendër shëndetësore apo për t’u lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë. Më besoni për një gjë, nuk është çështje politike. Nuk erdha këtu se ky është një komunitet që voton majtas apo ka votuar PS-në, erdha sepse ky është një komunitet që meriton të shërbehet qofshin majtas, qofshin djathtas. Vërtet Partia Socialiste është sot në pushtet, por PS qeveris me të njëjtin standard, si për ata që janë të majtë, ashtu edhe për ata që janë të djathtë. Të gjithë kanë familje kanë fëmijë, meritojnë që të jetojnë me dinjitet, meritojnë që të rrisin fëmijët, meritojnë të vënë bukë në tavolinë dhe ne ja respektojmë maksimalisht këtë gjë. Është shumë e rëndësishme që të kuptoni që është dëshira jonë maksimale për të bërë këto gjëra, është angazhimi maksimal i FA-ve për t’ju ndodhur komunitetit, atëherë kur të tjerët nuk i ndodhen dot. Këtë do ta bëjmë në çdo cep të Shqipërisë në çdo muaj të vitit”, u shpreh Xhaçka.
Rruga që lidh fshatin Selicë me pjesën tjetër të qarkut Dibër dhe që ndihmon banorët e fshatit të largët të lidhen me pjesën tjetër të vendit ka një gjatësi prej 4 kilometrash e pritet të përfundojë brenda pak javësh. Pak ditë më parë, ministrja Xhaçka inspektoi edhe operacionin për pastrimin e hotspotit të Selicës (Burrel), ku gjithashtu po punohet si për pastrimin nga municionet luftarake dhe mbetjet eksplozive, sikundër edhe për sistemimin e rrugës që lidh këtë hotspot me qytetin e Krujës e më gjerë.





