Prej 4 ditësh forca të shumta shqiptare e maqedonase janë duke punuar për të izoluar flakët e zjarrit që kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me kullota, bimë medicinale dhe bimësi të ulët në Malin e Thatë.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së djegur është në anën e Maqedonisë së Veriut, por çfarë shqetëson shërbimin zjarrfikës dhe atë pyjor në bashkinë e Pustecit është fakti se tashmë zjarri ka hyrë në anën e kësaj bashkie dhe rrezikon të hyjë në Parkun Kombëtar të Prespës.

Për këtë janë angazhuar forcat e ushtrisë si dhe tre helikoptere, Cougar i forcave tona të armatosura dhe dy të shërbimit të emergjencave nga pala maqedonase që po bëjnë gjithçka për të mos lejuar flakët e zjarrit të kalojnë në zonën e pyllëzuar të këtij parku.

Nga dita nesërme priten të jenë në operacion edhe mjete të tjera të shërbimit zjarrfikës si dhe forca të këtij shërbimi nga bashkitë e tjera të qarkut të Korçës

Terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugëve e bën të vështirë punën e shërbimit zharrfikës dhe atij pyjor.