Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka kërkuar një sqarim nga ministrja e Shëndetësisë, për një qendër shëndetësore në njësinë 5, e cila sipas socialistit Braçe, prej 4 muajsh nuk funksionon.
Braçe deklaroi në Parlament se edhe pse jemi në pikun e periudhës së grupit, mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale.
“Që në datën 19 kam paraqitur një kërkesë për një proces pyetje përgjigje për ministren e Shëndetësisë. Ka të bëjë për mosfunksionimin e një qendra shëndetësore në njësinë 5 në zonën e Irfan Tominit. Mendova se ishte momenti i duhur për të marrë një përgjigje pas 4 muajsh.
Jemi në pikun e periudhës së grupit dhe mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale.
Kërkesën për pyetje e kam dërguar më 19 janar, sot jemi 3 shkurt. Nuk e gjen dot në asnjë rast se kur mund ta marrësh përgjigjen.
Duhet të ishte edhe shqetësim i ministrisë së shëndetësisë të kthente përgjigje për këtë gjë, sa më parë të jetë e mundur. Cdo mënyrë tjetër e marrjes së përgjigjes është ezauruar.
Po hyjmë në muajin e 5 me shërbim të kufizuar shëndetësor. Kur kthehet qendra shëndetësore në rrugën Irfan Tominit”, tha Braçe.





