Çifti i bashkëshortëve Yzeir e Erlira Bakiasi, janë kthyer tre javë më parë nga autoritetet gjermane pas refuzimit të azilit ekonomik në Gjermani. Familja qëndroi për 2 vjet e 3 muaj në afërsi të Dyseldorfit, ku fëmijët vijuan shkollën normalisht, ndërsa shteti gjerman ju përgjigj me gjithçka që familja kishte nevojë. Si ky çift me tre fëmijë në shkollë, janë shumë të tjerë që presin në dyert e Drejtorisë Arsimore të rrethit të Durrësit, për të rregjistruar fëmijët e tyre në shkollat përkatëse.
Yzeiri dhe Edlira prej 7 ditësh qëndrojnë në rradhë e në pritje për të kryer veprimet në Drejtorinë Arsimore, për të marrë vërtetimet që ju kërkohen për regjistrimin në shkollën “Marie Kaçulini”.
Shqetësimi i prindërve ka të bëjë me faktin se fëmijët kanë përfunduar shkëlqyshëm të dy vitet shkollore që kanë kryer në Gjermani dhe ata kërkojnë që të regjistrohen në klasën që kanë përfunduar.
Dy bashkëshortët, tregojnë se u larguan nga qyteti i Durrësit në pranverën e vitit 2015 për në Gjermani, ku kërkuan azil ekonomik, pasi të dy ishin të papunë në Shqipëri dhe pa asnjë dritë shprese.
Bashkëshortët tregojnë për DurrësLajm eksperiencën që fituan në Gjermani, ku shteti gjerman, kësaj familjeje, i dha atë që i mungonte në vendin e tyre.
Kërkesa për pranimin e azilit ekonomik nuk u pranua nga autoritetet gjermane të cilët janë përkujdesur për familjen durrsake, duke ju siguruar atyre strehë, shëndetësi dhe arsim falas, së bashku me asistencë sociale prej 300 Euro në muaj për secilin anëtar të familjes.
Sfida më e madhe e kësaj familjeje është tani përshtatja e fëmijëve në shkollë, pasi një tjetër sistem tërësisht ndryshe funksionon këtu.
Bashkëshortët thonë se menjëherë pas regjistrimit të fëmijëve në shkollë do të kërkojnë punë.
K.H.