Prezantuesja, aktorja dhe autorja italiane Enrica Bonaccorti ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Ajo vuante nga kanceri në pankreas, sëmundje të cilën e kishte bërë publike shtatorin e vitit të kaluar. Në një rrëfim për publikun, Bonaccorti kishte pranuar se diagnoza e kishte tronditur, duke treguar se nuk kishte shumë shpresë për shërim.

Bonaccorti lindi në Savona më 19 nëntor 1949. Ajo e nisi rrugëtimin artistik në vitet ’70 si aktore teatri dhe filmi, përpara se të bëhej një nga prezantueset më të dashura të publikut. Popullaritet të madh fitoi me programin Italia Sera, që e drejtoi fillimisht me Mino Damato dhe më pas me Piero Badaloni. Më pas ajo mori drejtimin e programit të njohur ‘Pronto, chi gioca?’, duke zëvendësuar një ikonë të televizionit si Raffaella Carrà.

Përveç televizionit, Bonaccorti u mor edhe me radio, letërsi dhe muzikë. Ajo shkroi disa libra dhe ishte autore e teksteve për këngë të njohura të këngëtarit Domenico Modugno, si “La lontananza” dhe “Amara terra mia”. Në jetën personale pati një lidhje të njohur me këngëtarin Renato Zero, i cili më vonë e kujtoi atë si një person shumë të rëndësishëm në fillimet e karrierës së tij.

E njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë, elegancën dhe ironinë, Enrica Bonaccorti mbetet një nga figurat më të spikatura të televizionit italian, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në botën e medias dhe argëtimit.