Turistja gjermane me çantë shpine, Carolina Wilga, është gjetur e gjallë pothuajse dy javë pasi u zhduk në zonat rurale të Australisë. Policia konfirmoi se Wilga është gjetur të premten, sipas “Sky News Australia”.

Kjo vjen pas kërkimeve për 26-vjeçaren. Të enjten, furgoni i Wilgës u zbulua në natyrë, në Rezervatin Natyror Karroun Hill, rreth 100 km në veri të qytetit Beacon, vendi ku turistja u pa për herë të fundit në një dyqan më 29 qershor.

Policia besonte se ajo ishte humbur në rezervatin prej 300 mijë hektarësh, pasi furgoni i saj ishte prishur. Beacon, një qytet i vogël kultivimi gruri 320 km në verilindje të kryeqytetit të Australisë Perëndimore, Perth, ndodhet në rajonin e largët të Brezit të Grurit dhe ka një popullsi prej 123 banorësh.

Inspektorja e Policisë së Australisë Perëndimore, Jessica Securo, u shpreh se terreni është i izoluar dhe përmban shkëmbinj të mëdhenj.

“Edhe pse ka një numër gjurmësh, mund të shihni se sa e lehtë do të ishte të humbëh ose të çorientoheshe në atë zonë, nëse nuk e njihje mirë,” tha ajo.

Furgoni i Wilgës, një “Mitsubishi Delica Star Wagon” i vitit 1995, ishte 35 kilometra larg çdo rruge kryesore, shtoi inspektorja e policisë.

Nëna e saj, Katja Will, e cila jeton në qytetin Castrop-Rauxel në shtetin gjerman North Rhine-Westphalia, përmes një thirrjeje publike kërkonte ndihmë për gjetjen e vajzës së saj, e cila tani ndodhet shëndoshë e mirë.