Grupi parlamentar i PS-së në këtë sesion parlamentar, do të ndryshojë përbërjen. Arben Ahmetaj, pritet të humbasë mandatin e deputetit, të fituar në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, pasi në kushtet e arratisë, nuk është paraqitur në Kuvend në 6 muajt e fundit.
Seanca e 6 Korrikut, ishte e fundit kur Ahmetaj ka shkelur në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas përcaktimeve kushtetuese kjo e shtunë, 6 Janar është dita e fundit që Ahmetaj mund të gëzojë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas pritet shpallja e pavlefshmërisë së mandatit të tij.
Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.
Në rast se Bici do të refuzojë marrjen e mandatit, sikundër përflitet, atëherë KQZ do të duhet të njoftojë kandidatin e radhës, Plarent Ndreca.
Kuvendi votoi më 14 Korrik dhënien e autorizimit për SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, pasi mbi të rëndonin akuzat për korrupsion në çështjen e incereratorëve.
Por SPAK pasi mori autorizimin nuk arriti të ndalojë deputetin Ahmetaj, i cili siç u bë publike ishte larguar nga Shqipëria.
SPAK veproi menjëherë dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar.