Kryetari i Partisë Demokratike në degën e Durrësit, Igli Cara akuzon bashkinë se ka lënë në harresë zonat periferike të qytetit bregdetar.
Përmes një postimi në “Facebook”, Cara shprehet se bashkia Durrës kujtohet për ta vetëm në kohë fushatash dhe bën premtime që i përdor sa për zgjedhje.
“Mungesa e infrastrukturës dhe niveli i lartë i ndotjes mjedisore i penalizojnë në përditshmëri këta banorë, që prej më shumë se dy dekadash janë “peng” i Bashkisë Durrës, që sa herë afrojnë fushatat zgjedhore, kujtohet për ta, duke u larguar pas zgjedhjeve së bashku me premtimet e dhëna e të hedhura pas krahëve.”, shkruan Cara.
Postimi i plotë:
Periferia vijon të jetë larg vëmendjes së autoritetit vendor. Pavarësisht, ngarkesës së madhe të Bashkisë Durrës është e papranueshme lënia në harresë e këtyre zonave.
Në Spitallë, bashkimi i ujërave të zeza me të bardha është i dukshëm, duke sjellë si pasojë një nivel të lartë ndotje, pa harruar erën e rëndë që mbizotëron kudo. Pasojat janë të drejtpërdrejta, si në shëndetin e banorëve, ashtu edhe në mjedis, duke u përhapur në të gjithë qytetin.
E njëjta situatë problematike vihet re edhe në zonën e ish Kënetës. Pavarësisht, vendimit nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që e ka shpallur këtë zonë të diskriminuar, qasja e Bashkisë Durrës nuk ka ndryshuar.
Kanali i tejmbushur me mbetje është një vatër infeksioni, që përshkon të gjithë periferinë.
Për këta taksapagues edhe kur jepen fondet me njërën dorë, tërhiqen me tjetrën.
Rehabilitimi i rrugës “Gjelbërimi” mbeti në letër, pasi buxheti i përcaktuar për këtë investim publik, i kaloi zbatimit të një projekti tjetër.
“Vala e Detit”, “Azem Hajdari”, ‘Gjelbërimi’ dhe “Miqësia” janë rrugë, që vetëm emërtimin kanë të tillë, duke u shndërruar në një problem pa zgjidhje ndër vite.
Mungesa e infrastrukturës dhe niveli i lartë i ndotjes mjedisore i penalizojnë në përditshmëri këta banorë, që prej më shumë se dy dekadash janë “peng” i Bashkisë Durrës, që sa herë afrojnë fushatat zgjedhore, kujtohet për ta, duke u larguar pas zgjedhjeve së bashku me premtimet e dhëna e të hedhura pas krahëve.