Kristian Preknicaj beson se Teuta do të vijojë të bëjë mirë duke nisur nga Vllaznia. Autori i golit ndaj Skënderbeut, vlerëson shkodranët, por thekson se asgjë nuk është e pamundur në këtë pikë të kampionatit. Prekincaj thotë se Teutës i duhen pikët e nuk ka rëndësi se kë kanë përballë, por rëndësi ka që blutë të arrijnë të krijojnë vazhdimësi.
Sa keqardhje keni që nuk morët tri pikë me Skënderbeun?
Realisht të vjen keq kur sheh dominim absolut për 90 minuta, dy gola të anuluar, raste pafund të krijuara dhe ndëshkohemi në rastin e parë e të vetëm të kundërshtarit. Ky është futbolli, na mungoi vetëm fati.
E keni analizuar këtë ndeshje?
Analizën do ta bëjmë në vijim, do të shohim ku kemi gabuar dhe çfarë duhet të përmirësojmë. Ajo që kaloi nuk kthehet dhe tani shohim nga e ardhmja, ku presim reagim ndaj Vllaznisë.
Në dy javët e fundit keni marrë dy barazime radhazi, si ju duket kjo ecuri?
Këto dy ndeshjet e fundit kemi qenë në lartësinë e duhur, pasi kemi dalë me barazime, por meritonim më shumë. Megjithatë, kemi atmosferë të mirë në grup. Tani na pret një ndeshje e vështirë, ku do të futemi 100% dhe besojmë se do të dalim me fitore.
Sa do t’ju shërbejë pauza e kombëtareve?
Mendoj se do të na bëjë mirë që të stërvitemi akoma më shumë, të jemi më të fokusuar dhe kemi shumë motivim për tu kthyer në rrugën e fitoreve për të vazhduar garën për “Final 4”.
Sa i lumtur jeni që gjetët golin e dytë sezonal me Teutën në momentin me kritik të ndeshjes?
Ndihem mirë që gjeta sërish golin. Për një sulmues goli është më e rëndësishmja, shpresoj të mos ndalem dhe të ndihmoj ekipin.
Ju pamë të vraponit drejt tribunës, kujt ja dedikuat golin?
Golin e ja dedikova bashkëshortes time, që ishte aty duke me ndjekur, por edhe shokëve të ekipit natyrisht.