8 tetor 2014– Premier League me tifozë amerikanë. Ky është projekti i Federatës Angleze të Futbollit, e cila po merr në shqyrtim mundësinë, që një javë të kampionatit të saj ta luajë në Sh.B.A. Hipoteza është ngritur pasi gjatë turit veror, në ndeshjen mes Manchester United dhe Liverpool, në stadiumin e Miamit ishin të pranishëm 51 mijë spektatorë, ndërsa në ndeshja mes djajve të kuq dhe Realit, u ndoq nga rreth 110 mijë spektatorë. Një tregues ky, që futbolli anglez gjen treg dhe Sh.B.A .
Kjo lëvizje pritet të kryhet për të rritur audiencën e kampionatit anglez jashtë kontinentit të vjetër dhe mbi të gjitha për të sjellë arkëtime kolosale dhe për klubet e vetë F.A. Ndeshjet mendohet të luhen në nëntor ose dhjetor të vitit të ardhshëm, dhe synohet të arrihet dhe një marrëveshje me NFL, që po në atë javë takimet e futbollit amerikan të luhen të gjithë në Angli. Ndeshjet në tokën amerikane janë një dëshirë e vjetër e klubeve të Premier League, të cilat e kanë kërkuar dicka të tillë që prej vitit 2008. Gjithashtu po shqyrtohet mundësia që në periudhën e dimrit, klubet e Premier League të marrin rreth dy javë pushime, gjë që do të ndihmonte së tepërmi dhe kombëtaren angleze. Nëse dicka e tillë do të ndodhte, për herë të parë Premier League nuk do të luante ndeshjen në vigjilje apo në fillim të Vitit të Ri.





