Premiera në datë 12, 13 e 14 Gusht.
Ne vigjilje të premierës “Binjakët” në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, trupa është në fund të pregatitjeve. Komedia “Binjakët” e shkruar para 2200 vjetësh nga Plauti është premiera, e cila çel në 12 Gusht në shkallët e amfiteatrit, sezonin artistik veror të teatrit të qytetit të Durrësit, në kuadër edhe të festivalit “Verë në Epidamn”. Kjo komedi, ngjarjet e së cilës ndodhin në Epidamn, ka në qendër historinë e dy vëllezërve binjakë, të cilët ndahen nga njëri- tjetri në moshë të vogël. Të dy rolet e binjakëve luhen nga aktori Romir Zalla, i cili në një një intervistë për “Durrës Lajm”, tregon se si i ka pritur rolet e dhëna nga regjisorja Driada Dervishi.
“Njëri prej binjakëve humbet dhe një tregtar nga Epidamni e gjen dhe e rrit si djalin e tij. Komedia nis me mbërritjen e vëllait tjetër në Epidamn, për të gjetur vëllanë e humbur. Vijmë para publikut me një komedi të punuar bukur dhe me role e batuta aktuale, pavarësisht se subjekti është marrë nga 2200 vjet më parë” thotë Zalla.
Aktori nuk ka pushuar ansjë ditë këtë verë. Mes shumë angazhimeve në teatër Zalla ka harruar se stina e verës është në fund të saj.
Subjekti :
“Binjakët”, një komedi e shkruar 2200 vjet më parë nga autori i antikitetit Plauti, është një premierë, e cila do të vihet në skenën e amfiteatrit romak të Durrësit. Ngjarjet e veprës Plauti i ka vendosur në Durrësin e vjetër dhe premiera do të jetë po në Epidamn, tregon regjisorja Dervishi, që këto ditë vere të nxehta bashkë me aktorët po punon për premierën. Kjo pjesë vjen për herë të parë në Shqipëri si një produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu”, por që këtë herë ka zgjedhur arenën e amfiteatrit për këtë komedi. Duke qenë së vëllezërit ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, kjo i jep shkas krijimit të mjaft situatave nga më komiket e ngatërresave plot humor që duket sikur nuk do mbarojnë kurrë. Protagonistët kryesorë janë: Romir Zalla që luan rolet e dy binjakëve, Bes Bitraku- Mesenioni, Amos Zaharia-Cilindri, Marvin Tafaj-Furça, Suela Bako-gruaja e binjakut të parë, Adelina Muça-Erotika dhe Sanie Hoti vjehrra e Menehmit të parë. “Komedia ka frymëzuar të gjithë autorët e mëdhenj botërorë, vlerat dhe mesazhet që ajo përcjell janë të gjitha aktuale, pavarësisht periudhës kur është shkruar”, shton regjisorja Dervishi.
K.H.





