Historia e Vesës së dhunuar dhe të trajtuar pa dinjitet, por që rigjen forcën për t’u ringritur dhe marrë nën kontroll jetën e saj erdhi mbrëmjen e së hënës premierë nën interpretimin e shkëlqyer të Mimoza Marjanakut dhe Romir Zallës.

Një vepër teatrale që u drejtohet grave, por edhe gjithë shoqërisë shqiptare që shpesh shfaqet patriarkale dhe shtypëse ndaj grave dhe vajzave. Për autoren Anisa Markarian, historia e Vesës bën në një Anisën shkrimtare dhe mjeke.

E mbytur nga emocionet para nisjes së shfaqjes, protagonistja e kësaj drame Mimoza Marjanaku e sheh këtë rol, si më të rëndësishmin e karrierës së saj aktoriale.

Për më shumë se një orë, publiku i pranishëm mbeti i mbërthyer pas monologëve të gjatë të personazhit të Vesës që përmes rrëfimit të eksperiencave të hidhura bënte katarsisin shpirtëror për të rifituar në fund veten e saj.

Për regjisoren Suela Bako dhe skenografen e kostumografen Alketa Tragaj, mesazhet që përcjell Vesa duhet të mbërrijnë tek çdo grua, sepse në momente të caktuara të jetës, cilado mund të jetë një Vesë.

Pavarësisht se nuk u luajt në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” për shkak të rikonstruksionit të këtij të fundit, publiku besnik mbushi plot sallën e QKF-së. Në fund, një duartrokitje e gjatë dhe shumë e merituar për të gjithë ekipin që i dha jetë kësaj shfaqjeje, që do të ngjitet në skenë sërish në datat 25 nëntor dhe 3 e 4 dhjetor.

M.B.