“Ylli pa emër”, premiera e shfaqur një natë më parë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, të qytetit të Durrësit, është duartrokitur gjatë për lojën teatrale, impaktin që solli në sallë dhe mesazhet bashkëkohore që përcolli tek publiku.
Regjisori Erion Kame është ndjerë i përkëdhelur nga publiku në sallë, por edhe i kënaqur nga përkushtimi me të cilën punuan aktorët e trupës Andia Xhunga, Besmir Bitraku, Edmond Halili, Gjergj Doçi dhe Adelina Muça, të cilëve ai ju besoi rolet e dramës.
Në rolin e asistent-regjisores erdhi për herë të parë aktorja Mimoza Marjanaku.
Drama e autorit rumun Mihail Sebastian sjell aktualitetin shqiptar, por edhe atë global. Trajton temën e vetmisë së njeriut të sotëm, i cili, si rrugë shpëtimi, ka vetëm të gjejë dashurinë, por edhe dashuria është me pikatore.
Aktorja Adelina Muça vjen në rolin e një vajze të vetmuar e cila ka mbetur në një qytet të vogël, pa të ardhme. Mundësia e një vetëvrasjeje prej saj, diskutimet me mësuesin e qytetit, rol, ky i interpretuar nga aktori Besmir BGitraku, ndërthurja me punonjësin e administrates, interpretuar nga Edmond Halili, shtjellohen në dramën “Ylli pa emër”.
K.H.