DURRËS, 21 tetor 2013 – Fundjavë gazmore në teatrin “Aleksandër Moisiu”, me një komedi franceze, që u përshtat në realitetin shqiptar dhe që u shfaq për dy ditë rresht. Stina e re teatrore, u çel kështu më 19 tetor dhe vazhdoi të nesërmen më 20 tetor 2013 me premierën e komedisë “Tri femra, tre divorce, një shtëpi” të dramaturgut dhe aktorit belg frankofon Alil Vardar (në foto), përkthyer nga prozatori i njohur me emër ndërkombëtar, ish-ambasador i Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka. Vepra u vu në skenë nga regjisorja Andia Xhunga. Interpretojnë Sania Hoti, Eraldë Çaushi dhe Adelinë Muça (në foton kryesore, mirësjellje e G. Kabashit), si dhe Marko Bitraku e Gjergj Doçi. Skenografinë e ka realizuar Genc Shkodrani, kurse asistent regjisore është Mimozë Marjanaku. Dhe në javën e re do të vazhdohet me shfaqje të kësaj komedie. Teatri ka realizuar dhe një poster tërheqës (në foto).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





