Goga Basket – Studenti 88- 47
17-12, 25-14, 20-14, 24-7
GOGA BASKET: Përmeti. Xhanaj, Ustalli, Dishnica, Mehmeti/Baraj, Memushi, Memçaj, Qypi.
Trajner: Astrit Greva
STUDENTI: Metani, Lalaj, Mema, Halili, Jani/Shima, Kica, Naçellari.
Trajner: Florentina Mitku
GJYQTARË: S. Tafilica, H. Trajer
KOMISAR: F. Suvaria
BUJAR QESJA
3 tetori 2015, nuk është thjesht hapi i parë i nisjes së kampionatit kombëtar të femrave për sezonin 2015-16, po për Goga Basket vetë historia e rizgjimit. Një sportëdashës i pranishëm në takimin Goga Basket – Studenti shprehet: “Na dukej vetja si në ëndërr që një ekip i Durrësit, arriti që pas tri dekadash të rregjistronte emrin në garën konkurruese të superligës së basketbollit për femra. Kohë të largëta kur ishim mirë dhe më pas heshtje. Tani na takon t’i rikthehemi pallatit të sportit për të mbështetur këtë zhvillim të ri”.
Ndeshja e parë ishte pozitive për vendaset, që me lehtësi mundën Studentin rivale, duke demonstruar epërsi të thellë nga minuta e parë e deri tek e fundit. Një Goga Basket me shumë ambicie,e vullnetshme dhe e bindur për ti dhënë Durrësit historinë e re të basketbollit. Duke nisur nga 28 –të vjeçaret Fabiola Përmeti dhe Dorina Mehmeti, e më të rejat Jona Ustalli, Ebi Dishnica dhe Enxhi Xanaj. Shkëlqen 16 vjeçarja Dajana Baraj, për të vazhduar me Tea Memushin, Paradisa Memçaj dhe Igena Qypi, ishin në sinkron në veprime duke ruajtur tempin dhe ritmin e lartë në lojë. Trajneri 79 vjeçar Astrit Greva dhe ndihmësi i tij Vladimir Xheka, arritën ta drejtojnë ekipin në një fitore të rëndësishme, me vlera morale dhe psikologjike. Perioda e parë u zhvillua në ekuilibër të plotë, ndonëse me një epërsi të lehtë dhe e kontrolluar nga Goga Basket. 17-12 për vendaset, të cilat erdhën duke e ngritur tempin e lojës në periodën e dytë, duke i mbyllur 20 minutat e para në favor të tyre 42-26. Studenti u mundua të neutralizonte disi epërsinë e lojtareve të Goga Basket, duke shfrytëzuar gjendjen e mirë të dyshes Mema – Metani, por jo më shumë se sfidë. Perioda e tretë u zhvillua me një tablo të njëjtë si perioda e parë, për të vulosur epërsinë në 10 minuta e fundit, ku mikeshat thuajse e dorëzuan lojën duke mos i bërë ballë ritmit dhe përgatitjes së mirë fizike të kundërshtares së tyre. Vetëm 7 pikë të shënuara e 24 të pësuar dhe përfundimisht Goga Basket fiton thellësisht 88-47. Presidenti i ekipit Perikli Goga nuk e fsheh kënaqësinë e fitores, por i druhet euforisë. “Na presin takime të rëndësishme si ajo me Flamurtarin dhe Tiranën. Por jemi të vendosur të kalojmë në fazën e plejofit dhe në fitimin e titullit. Fillimi është premtues. Të shpresojmë!”
/portali DurresLajm/