Premtimet elektorale, flluska sapuni
DURRES, 15 maj 2013– Amerikanët kanë shfryrë menjëherë premtimin elektoral të Berishës për heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda mandatit të ardhshëm 4 vjeçar. Gjatë një komunikimi elektronik me TCH mbi mundësitë reale të çeljes së kufijve për shqiptarët drejt tokës së premtuar, Ambasada Amerikane në Tiranë i është përgjigjur se programi i Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program) sanksionohet me ligj dhe ekzistojnë një numër kërkesash statutore që duhen plotësuar përpara se një vend të merret në shqyrtim për anëtarësi në VWP. Ligji aktual kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre përqind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera.
Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 përqind. Premtimi në dukje ambicioz i liderit demokrat Sali Berisha, u bë gjatë çeljes së fushatës elektorale në Durrës mbrëmjen e së martës, duke lënë thuajse pa frymë mjaft shqiptarë me deklaratën e tij. Disa e quajtën të guximshëm, të tjerë ambicioz, ndërsa të tjerë nuk nguruan ta quajnë “idiot”. Gjithsesi askush nuk do të mund ta besonte se Berisha do të lëshonte deklarata të tilla thjesht për efekt elektoral, ndërkohë që faktet dhe reagimi i përfaqësisë diplomatike në Tiranë i jep një goditje të fortë deklarimeve-tollumbace të cilat të paktën nuk duhet të cënojnë territore të pamundura nga politika dhe qeverisja jonë. Kjo është një tjetër goditje që merr politika shqiptare në pushtet, pas shkarkimit të antarit të KQZ-së dhe situatave të tjera të krijuara, që kanë krijuar rrethana sfiduese dhe ngricë në marrëdhëniet mes shtetarëve aktualë dhe përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në vend.
Një det premtimesh u bënë nga Durrësi dhe për industrinë e peshkimit dhe peshkatarët. Kreu i mazhorancës u premtoi peshkatarëve të Durrësit se do të merren masa për ta çuar industrinë, e paorganizuar në fakt, të peshkimit në vendin që meriton dhe si hap të parë tha se do të jetë krijimi i një shkolle për përgatitjen e peshkatarëve të rinj. Është e çuditshme që askush nga stafi i afërt i kryeministrit, por as kandidati i PD-së për Durrësin, Lufter Xhuveli nuk e kishin informuar në kohë mbi çeljen e kurseve të kualifikimit për peshkatarë pranë shkollës së mesme profesionale “Hysen Çela”. Kurset u çelën 6 vjet më parë dhe në ceremoni mori pjesë dhe ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në atë kohë Lufter Xhuveli. Kursi për tre vjet rradhazi ofroi leksione mbi teknikat e gjuetisë në det, njohuri mbi meteorologjinë, lundrimin, motorrët e anijeve, si dhe llojet e specieve detare të lejuara për gjueti dhe ofronte për nxënësit një diplomë kualifikuese e cila do të njihej në të gjitha vendet e BE-së. Prej 3 vjetësh kursi, një investim italian që në bashkëpunim me shtetin shqiptar, është mbyllur, për shkak të mungesit të interesimit ndaj tij.
Përveç shkollës Berisha premtoi lehtësira për biznesin e peshkimit, duke deklaruar se do të zbresë taksën e portit në 1/10 e saj, do të rimbursojë plotësisht akcizën e naftës dhe heqë TVSH për të gjitha materialet. Lideri demokrat premtoi dhe 20 milion euro kredi të butë për sektorin e peshkimit, duke ofruar kështu garanci shtetërore dhe qeveritare. Një ditë më pas, peshkatarët durrsakë pjesëmarrës në takimin me kryeministrin shprehen mosbesues ndaj premtimeve të bëra, ndërkohë që taksat e larta dhe gjuetia e paligjshme e peshkut po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën në këtë sektor dhe të ardhurat e siguruara prej tij.
/v.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





