“Brenda 80 ditësh do të realizohen 7 nga 9 lotet e projektit për riparimin e muraturave në mjediset e përbashkëta në 458 pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës”.
Kështu shkruan kryeministri Rama në rrjete sociale, ndërsa vizitoi sot nga afër disa nga pallatet e Durrësit që po riparohen.
“Riparimet kanë nisur në godinat që kanë dëmtime në shkallën DS3 dhe më pas do të vijohet me ato DS2 dhe në fund DS1”,- tha kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako.
Në të njëjtën kohë, Rama thotë se është drejt përfundimit “shkolla “Shaqe Mazreku”, e cila bashkë me 10 shkolla të tjera në Durrës po rilind për të hapur dyert më 26 nëntor të këtij viti, më e madhe e më bukur për 711 nxënës dhe mësues, me një mjedis shkollor të denjë me kushte optimale”.





