Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë shkruan se brenda mandatit të parë të qeverisjes së tij do të dyfishohen pensionet.

Meta thekson se pensionistët po përballen me sfida shumë të mëdha të kostos së jetesës dhe rritjes së çmimeve, sepse rritja e pensioneve të tyre nuk ka qenë aspak prioritet për bandën e “Rilindjes”

Postimi i Metës:

Ne i jemi mirënjohës brezit, që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë, prandaj është detyrimi ynë madhor, që brenda mandatit të parë qeverisës të dyfishojmë pensionet. Sot u takova me pensionistët, banorë të Njësisë Nr. 5 në Tiranë ku dëgjova shqetësimet e tyre dhe problemet e përditshme, që ata përballojnë.

Pensionistët sot po përballen me sfida shumë të mëdha të kostos së jetesës dhe rritjes së çmimeve, sepse rritja e pensioneve të tyre nuk ka qenë aspak prioritet për bandën e “Rilindjes”, që rrit vetëm financimet për inceneratorët që nuk ekzistojnë. Për Partinë e Lirisë përkujdesja shëndetësore dhe mbështetja financiare ndaj pensionistëve është jo vetëm një prioritet, por është domosdoshmëri.