Investimi i realizuar 6 vite më parë në kodrën e Currilave kishte synim frenimin e fenomenit të erozionit.

6 vite më pas, pasi u shpenzuan rreth 2 milionë dollarë dhe u premtua një kodër e gjelbëruar dhe një atraksion turistik, jo vetëm për durrsakët por edhe turistët e huaj, kodra e Currilave vazhdon të gërryhet nga erozioni, sa herë në Durrës regjistrohen reshje shiu.

Qindra ton argjil shkëputen nga faqja e kodrës çdo vit, ndërsa premtimit të kryeministrit Edi Rama, në mars 2015, “për mbjelljen e 50 mijë fidanëve dhe për një kodër të gjelbëruar, me larmi bimësie brenda një harku prej 3 vitesh” i bëjnë karshillëk dherat që shkëputen nga faqja e kodrës dhe pushtojnë asfaltin disa herë në vit. Këtyre të fundit, ditët e fundit iu bashkuan edhe pishat shumëvjeçare që “zbritën” në rrugë, pasi rrënjët e tyre e patën të pamundur të frenonin fenomenin e pandalshëm natyror.

“Një peisazh natyror i përkryer”, do ta cilësonte 6 vite më parë Ministri i Mjedisit i asaj kohe Lefter Koka pamjen në 3D që priste të merrte kodra pas investimit 2 milionë euro. Ishte prag kandidimi i kryebashkiakut Vangjush Dako për mandatin e tretë dhe qeveria Rama premtonte një zgjidhje afatgjatë për rehabilitimin e kodrës së Currilave.

6 vite pas këtij investimi, nuk dimë nëse Koka, që pretendon sërish një mandat deputeti në Durrës, do të mundohet t’u mbushë mendjen qytetarëve se “rehabilitimi” i kodrës bëri të mundur që erozioni të vazhdojë pa ndalur procesin e tij, ndërsa bimësia e premtuar mbeti një ëndërr në sirtar e qeveritarëve.

Video e mëposhtme, e përgatitur nga stafi i “DurrësLajm”, sjell dëshmi filmike të asaj çfarë realisht ndodh çdo ditë para syve të të gjithëve.

Shkërmoqja e kodrës së Currilave po ndodh vit pas viti pa ndalur, shumë pak ka mbetur aty nga investimi jetëshkurtër i pak viteve më parë.

Miliona të tatimpaguesve durrsakë dhe jo vetëm, të shpenzuara për rehabilitimin e kodrës.

Përfundimi: “Atraksioni” i premtuar nga kryeministri mbetet vetëm në projektet e bukura 3D!

M.B.