Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se premtimi i Ramës për rritjen e pagës minimale në 900 euro do të thotë të rrisësh inflacionin me 3 shifra dhe të falimentosh bankat.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi në Memaliaj, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Albert Malaj.
Berisha tha se qeveritarët në Shqipëri po vjedhin në përmasa shumë të mëdha, ku mori si shembull ndërtimin e rrugës Shkëmbi i Kavajës-Fier, që sipas tij po ndërtohet me një kosti 7.2 milionë euro/km.
“Alberti na nderon secilin prej nesh sot. Na nderon edhe fakti që ai është kandidati juaj, i votës dhe besimit tuaj. Ky standart që vendosëm është një nga standartet më të mira që ekzistojnë në botë. Krahasoni Albertin me kandidatin e bodrumit të Edi Ramës, i cili vetëm me qytetarët nuk komunikon. Për të nuk ka votuar qoftë edhe një socialist i vetëm. Nuk është pyetur asnjë banor i këtij qyteti. Atë e emëroi xhepi. Vjedh, ço para te Rama dhe emërohet. Këta janë një sekt i rrezikshëm. Këta janë një sekt i shkëputur tërësisht nga qytetarët, qoftë edhe socialist.
Rilindasit janë sekti i vjedhjes më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Hajdutë si këtë nuk ka pasur toka. Ndonjëherë mendoj dhe kur vlerëson miliardat e eurove, të thotë mendja se vjedhjet e tyre janë më të mëdha sesa vjedhjet e të gjitha qeverive të të gjitha kohërave të marra bashkë. Sot Memaliaj janë 40 % qytetarë më pak sesa ishin më parë. Nga Ukraina me gjithë bombardimet e raketat, si përqindje nuk janë larguar as gjysma e atyre që janë larguar nga Shqipëria në këtë kohë paqeje për ne. Pse ne marrim rrugët e ikim. Shkaku është varfëria e shkaktuar nga vjedhjet e papërmbajtshme të kësaj llogarie.
Pse nga viti 2007 e deri në vitin 2014 numri i banorëve në Shqipëri rritej nga viti në vit? Nuk është se ishim të pasur, nuk kishim rrogat e BE-së. Por rrogat tona u dyfishuan, pensionet tona u dyfishuan. Çdo shqiptar e ndiente se kjo qeveri që kishte vendosur rrogat dhe pensionet e qytetarëve të parat, po bënte gjithçka për një infrastrukturë modern dhe për ndryshimin e jetës së qytetarëve. Kishte shpresë dhe shqiptarët duke parë të gjitha këto, besonin që Shqipëria bëhet. Besonin se ata mund të krijonin një të ardhme të mirë në Shqipëri. Vetëm nga viti 2021 deri në vitin 2022 çdo shqiptar ka shpenzuar për ushqime 430 mijë lekë më shumë si pasojë e rritjes së çmimeve.