TIRANE, 15 mars 2013 – Teksa na ndajnë edhe 100 ditë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, ethet e listave të deputetëve po prishin qetësinë e rreme në selinë blu, atë qetësi që imponohet prej 23 vitesh nga diktati i liderit absolut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Edhe pse gjithçka pritet të zyrtarizohet dhe shpallet në minutën e fundit nga kryeministri Berisha, deputetët kanë nisur lëvizjet për të mësuar për pozicionin në listën shumëemërore, pozicion i cili do të jetë përcaktues për fatin e tyre politik pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Ndonëse të gjithë deputetët aktualë janë rreshtuar si të verbër sipas vullnetit të kryetarit të partisë gjatë këtyre katër viteve, jo të gjithë do të konfirmohen në Parlament në zgjedhjet e 2013. Madje, sipas burimeve brenda selisë blu, ndryshimet në grupin parlamentar demokrat do të jenë më radikale se në zgjedhjet e 2009, ku Berisha përjashtoi të gjithë mbështetësit e Bamir Topit dhe çdo deputet, tek i cili kishte një fije dyshimi. Ndërkaq, rikthimi i Eduard Selamit pas 18 vitesh në Partinë Demokratike dhe futja në lojë e dhëndrit të kryeministrit, Jamarbër Malltezit, për të cilin Berisha po përgatit terrenin për ta bërë deputet, këto zhvillime kanë turbulluar ujërat në selinë blu.
Nga ana tjetër, afrimi i shokëve të Shkëlzenit dhe Argitës, projektimi i Jorida Tabakut dhe Grida Dumës në listën e ardhshme të deputetëve, e ka tendosur më tej situatën. Pjesë e listët pritet të jenë edhe shumë figura të tjera si Arben Ristani, Ferdinat Poni, Eno Bozdo, Gjergj Lezhja etj. Po kush do të rrezikohet nga prurjet e reja në PD dhe a ka planifikuar Berisha prerje kokash në 23 Qershor. Tre do të jenë qarqet ku Berisha pritet të kandidojë prurjet e reja; Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Pavarësisht surprizave, nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 2009, PD, në zgjedhjet e 23 Qershorit, pritet të marrë 15-16 deputetë. Gjithashtu, në Qarkun e Elbasanit nuk priten surpriza, ku PD mund të të marrë 6-7 mandate. Po ashtu edhe në Durrës. Në këtë kushte, më shumë se gjysma e deputetëve aktualë në këtë qarqe do të mbeten jashtë parlamentit pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Emrat
Nëse kryeministri Berisha do të ruajë renditjen e zgjedhjeve të 2009, është e thjeshtë identifikimi i deputetëve që rrezikohen. Kështu në Qarkun e Tiranës, për shkak të prurjeve të reja rrezikohet Gent Strazimiri, Florian Mima, Ilir Rusmali, Myqerem Tafaj, Luan Skuqi, Tritan Shehu, Viktor Gumi, Arben imami, Lajla Përnaska etj. Në Qarkun e Tiranës PD ka marrë 15 mandate, ndërkaq të lartpërmendurit renditen nga numri 7-15. Në Qarkun e Durrësit dhe të Elbasanit, synuar nga renditjet e 2009 dhe nga prurjet e reja, rrezikojnë Rrahim Çota, Dashnor Sula, Luçiano Boçi, Sybi Hida, Ylli Lama, Osman Metalla, Igli Cara.
Shokët e fëmijëve në lista
Tre muaj para zgjedhjet të 23 Qershorit kryeministri Berisha po lançon dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, me qëllim që përfshirja e tij në listat për deputetë dhe katapultimi në forumet e larta të PD, të duket si i natyrshëm nga eksponentët e tjerë të PD. Teksa ethet e listave të kandidatëve për deputetë kanë përfshirë grupin parlamentar, mësohet se surpriza do të jetë pikërisht përfshirja e njerëzve të familjes, duke e kthyer PD në një plaçkë të një grupi të caktuar.
Konkretisht, pjesë e listave të PD për deputetë pritet të bëhet Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i njohur si mik i ngushtë i fëmijëve të kryeministrit. Erla Mëhilli pritet të jetë një tjetër emër që do të zëvendësojë fytyrat e vjetra në PD. Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Elvana Hana, duket se do të jetë një tjetër surprizë në lista e PD. Zonja Hana është drejtore i ISKSH dhe mbesa e bashkëshortes së kryeministrit Berisha, Liri Berisha. Gjithashtu pjesë e listët pritet të jetë Gjergj Lezhja Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Selami: Dua të kandidoj në Tiranë
Ish-kryetari i PD, Eduard Selami, ka deklaruar se preferonte të kandidonte në Tiranë. “Patjetër që i takon zonës në radhë të parë, nuk diskutohet kjo. Detyrimi i parë është për zonën. Për mua do jetë nder kudo, Tirana është një arsye më shumë sepse unë popullit tiranas i dedikoj edhe jetën time personale. Nëse nuk do të kishin dalë qytetarët e Tiranës, Lëvizja e Dhjetorit që shembi komunizmin nuk do të kishte marrë ato përmasa që mori, nuk do të ishte bërë e mundur, do të ishte kohë më e gjatë. Shumë thonë që i erdhi koha, por koha flet edhe për Korenë e Veriut, edhe për Kubën. Vetëm koha në vetvete nuk bën gjë, ky ka qenë gjithmonë mendimi im, dhe kjo është edhe një arsye më shumë. Jam kontaktuar nga kryetari i PD-së, z. Berisha, dhe kam pranuar me kënaqësi që të kandidoj në emër të PD-së. Për hollësitë mendoj se është shpejt për të folur. Ju me të drejtë thatë që unë do të nisem për të kontribuar në emër të PD-së, dhe e quaj këtë një nder të veçantë në atë parti që unë gjithmonë i kam përkitur dhe i përkas”, ka deklaruar ai.
Kush rrezikohet
Florian Mima
Gent Strazimiri
Ilir Rusmali
Myqerem Tafaj
Luan Skuqi
Tritan Shehu
Viktor Gumi
Arben Imami
Lajla Pernaska
Rrahim Xhevit Çota
Dashnor Riza Sula
Luçiano Boçi
Sybi Hida
Ylli Lama
Osman Metalla
Igli Cara
Figurat e PD që drekuan me Topin
Adrian Kollozi
Albert Faruku
Aleksandër Biberaj
Aurel Bylykbashi
Mevlan Xhindoli
Besnik Mustafaj
Dashamir Sula
Edmond Spaho
Edi Paloka
Engjëll Cara
Fatos Beja
Genc Juka
Gëzim Karapici
Gazmend Oketa
Idriz Xhumara
Lulzim Basha
Majlinda Bregu
Ndriçim Babasi
Osman Metalla
Pal Dajçi
Safet Sula
Rrahim Kaleci
Sali Shehu
Listat e PD, prurje në radhët e grave
Kryeministri Berisha ka deklaruar se lista e kandidatëve për deputetë të PD e ka emrin grua, duke paralajmëruar kësisoj prurje të reja në radhët e femrave. Pjesë e listës për deputetë pritet të jetë Greta Koçi, Erla Mëhilli, Marsida Xhaferalli, Jonela Spaho, Elvana Hana, Suzana Guxholli, Sonila Meço, Juela Meçani, Eva Zajmi, Irini Shehu, Zana Turku etj. Por sipas sipas burimeve, dy do jenë surprizat më interesante të listës së Partisë Demokratike, konkretisht kandidimi sipër vijës së sigurisë i nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku si dhe i zëvendësministres së Integrimit, Grida Duma. Zëvendësja e zonjës Bregu, sipas burimeve, do të ketë një vend të sigurtë në listën e kandidatëve të PD për Qarkun e Tiranës, madje emri i saj do të vihet mbi shumë figura të rëndësishme të PD, duke i siguruar automatikisht një vend të sigurt në parlamentin e ardhshëm. Gjithashtu edhe Jorida Tabaku do jetë pjesë e listës së Tiranës. Por, karriera e shpejtë dhe premtuese e Tabakut dhe Dumës ka trazuar kryeparlamentaren Topalli dhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregun, të cilat kanë monopolin e pushtetit të zonjave në qeverisen e Berishës. Sipas mos të mjaftonte lufta e ftohtë dhe rivaliteti me Lulzim Bashën për pasardhës, Topalli po përballet me një shqetësim tjetër, me zëvendësen e Bashës, e cilat pritet të eklipsojë figurën e Topallit në Kuvendin e ardhshëm. Ndërkaq, rivaliteti mes Bregut dhe Grida Dumës për dominancë është i hershëm dhe i njohur. Nëse Berisha riciklohet në pushtet, Duma është një kandidate potente për ministre e Integrimit. Znj. Duma dhe Tabaku, ndonëse deri më tani në prapavi, pas zgjedhjeve të 23 Qershorit pritet të eklipsojnë dominimin dhe shkëlqimin e Topallit dhe Bregut.
/gazeta "Sot"/