Nga Edmond Tupja
Po, i dashur lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm, mos u habit hiç nga ky titull që kam zgjedhur për shkrimin që ke para syve. Sot ky titull ka, siç ndodh shpesh në shkrimet e kësaj rubrike të përjavshme, një lidhje jo të figurshme, por të mirëfilltë me përmbajtjen e tij: termat “presh” dhe ”skapamento” s’kanë asgjë alegorike, asgjë simbolike, por shënjojnë dy realitete të jetës së përditshme jo vetëm në vendin tonë, por edhe përtej kufijve të tij. Sot dua të ndaj me ty, o lexuesi im i përhershëm, një lajm lidhur me një shpikje shqiptare, 100 për qind ekologjike, që mbahet e fshehtë jo vetëm nga qarqet qeveritare, por edhe nga rrethet shkencore të shtetit tonë tmerrësisht demokratik. Në saje të kësaj shpikjeje, me element thelbë sor preshin, energjitë fosile (me prejardhje nga nafta, qymyrguri, gazi etj.) do të dilnin jashtë loje! Jashtë loje sepse, po të bëhej publike dhe të vihej gjerësisht në zbatim shpikja në fjalë, industritë tejet fitimprurëse e këtyre lloje energjish do të falimentonin të tëra dhe s’do të kishin më të ardhme, kostoja e nxjerrjes, e pasurimit dhe e përpunimit të lëndëve të para të sapopërmendura do të rezultonte tmerrësisht e lartë, çmimet e tyre do ta shihnin veten në rënie të lirë dhe, rrjedhimisht, do të shtohej në përpjesëtim gjeometrik numri tashmë fort i lartë i të papunëve në shkallë botërore; nga ana tjetër, vendet e hiperindustrializuara do ta humbnin hegjemoninë e tyre, si edhe vendet furnizuese të tyre me lëndët në fjalë; e gjitha kjo do të shkaktonte lëvizje masive popullsish, çka do të krijonte panik e pështjellim, ndër të tjera. Jashtë loje do të dilnin dhe energjitë e ripërtëritshme (me prejardhje nga dielli, era, uji etj.): Askush s’do të donte të investonte në fushën ende të panjohur mirë të teknologjive të reja të domosdoshme për shfrytëzimin e tyre, sepse, falë prodhimit dhe vënies në përdorim në mbarë vendet e botës të teknologjive dhe të impianteve fare të thjeshta që kërkon konkretizimi i shpikjes shqiptare, energjia e përftuar do të mjaftonte bollshëm për të mbuluar tërë nevojat e popullsisë botërore edhe nëse kjo dhjetë, njëqind, njëmijëfishohet. E ndiej që lexuesi im po bëhet gati të më pyesë: “Mirë, zoti Tupja, ta zëmë se kështu qëndron puna me preshin, po skapamentoja ç’hyn në këtë mes?”. Po nxitoj, pra, t’i përgjigjem kësaj pyetjeje sa të mençur, aq edhe me vend: Megjithëse “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) nuk e përmban këtë fjalë, jam i bindur që shumica e banorëve të Shqipërisë sonë në zhvillim e sipër (e cila, në e lënçin, rrezikon të bëhet superfuqi falë shpikjes së lartpërmendur), sidomos ata që kanë makina, e dinë fort mirë ç’është skapamentoja: një tub nga dalin gazrat e prodhuar në motor pas djegies së karburantit që vë në lëvizje motorin e makinës, përkufizim ky krejt i thjeshtë, po jo i pasaktë. Le të vijmë tani te thelbi i këtij shkrimi: Pikërisht skapamentoja do t’i japë mundësi preshit t’i konkurrojë me një sukses të paparë gjithë përpjekjet e deritanishme për t’i zëvendësuar karburantet nënprodukte të naftës me biokarburante nënprodukte të misrit, të lulediellit etj., etj. Veçse, prodhimi i këtyre biokarburanteve kërkon sipërfaqe pa fund tokash bujqësore, çka rrezikon të krijojë për njerëzimin mungesa të frikshme në drithëra e produkte të tjera bujqë sore e blegtorale. Kurse preshi bën një mrekulli, të paktën sipas autorëve të shpikjes në fjalë. Një mrekulli sepse ata do të kenë arritur, në i lënçin sigurisht, ta bëjnë të fluturojë një makinë duke i futur asaj një presh shqiptar, më saktë një presh Kashari, mu te brima e skapamentos; e njëjta gjë për avionët dhe raketat ndërplanetare. Le të imagjinojë tani lexuesi im objektiv se ç’kryevepër është të shohësh makina, avionë e raketa që fluturojnë me presh në b…rimën e jashtëqitjes së gazrave! S’do të ketë më ndotje të ajrit, të tokës e të ujit, s’do të ketë më dioksid karboni në atmosferë, do të bjerë, pra, ndjeshëm ndotja e mjedisit dhe, për pasojë fatlume, do të zhduket efekti serë, do të pakësohet ngrohja glob(h)ale, do të bjerë numri dhe shpeshtësia e cunameve, e cikloneve dhe e tornadove, do të rrallohen përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokave, pa llogaritur shumë e shumë gjëra të tjera të dobishme në jetën e përditshme të njerëzimit. Dhe më e mira për në fund: Shqipëria do të begatohet e pasurohet falë kësaj shpikjeje fantastike: për banorët e saj do të hapen jo më 300 mijë, por 300 milionë vende pune, jo vetëm do të bëhet falas shërbimi mjekë sor për shqiptarët, por ata që do ta kapërcejnë moshën mesatare të popullsisë do të shpërblehen me nga një veturë luksoze dhe me nga një avion vetjak të personalizuar. Gjithsesi, do t’u lutesha autorëve të fjalorëve të ardhshëm të gjuhës shqipe që, te përkufizimi i fjalës “presh”, të shtojnë edhe shprehjen tejet të njohur popullore “të fluturosh me presh në…”. Ah, ku vallë? Oh, sigurisht në by…rek, meqë byreku me presh është aq i shijshëm saqë të vjen t’i lëpish tërë gishtërinjtë nga i vogli tek i madhi pa harruar kurrsesi gishtin e mesit, pavarësisht gjatësisë së tij të tendosur!