Drejtoria e Komunikimit e Presidencës turke ka mohuar thashethemet mbi problemet shëndetësore të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke i cilësuar si “të pabaza” informacionet përkatëse që janë transmetuar përmes një kanali në YouTube.

Në një deklaratë të Qendrës për Luftimin e Dezinformimit, që funksionon në kuadër të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, thuhet se:

“Gjendja shëndetësore e presidentit Erdogan është e mirë dhe ai vazhdon të ushtrojë kompetencat dhe detyrat e tij kushtetuese si kreu i Republikës së Turqisë.”

Në deklaratë theksohet gjithashtu:

“Në një kanal në YouTube janë bërë pretendime të pabazuara në lidhje me gjendjen shëndetësore të presidentit tonë të nderuar. Shprehjet e përdorura në atë emision përmbajnë pretendime të pabazuara, synojnë postin presidencial dhe përmbajnë fyerje.”