Të dielën e 21 prillit mbi 1 milionë e tetëqind mijë qytetarë votues të Republikës së Maqedonisë së Veriut do t'u drejtohen kutive të votimit për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Votuesit do të duhet të zgjedhin midis tre kandidatëve: shqiptarit Blerim Reka, i cili kandidon si i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare. Në garë përvec Rekës janë Stevo Pendarovski i mbështetur nga 31 parti (mes tjerash, BDI dhe LSDM), dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga OBRM-PDUKM dhe partitë tjera opozitare maqedonase.
Por që një prej të treve të fitojë që në raundin e parë sipas kodit zgjedhor maqedonas i nevojiten mbi 900 mijë vota. Nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin shumicën e nevojshme të fletëve të votimit në raundin e parë, atëherë sipas kushtuetutës nevojitet raundi i dytë i zgjedhjeve për dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë. Sikurse e përcakton ligji raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditësh pas përfundimit të të parit, në këtë rast më 5 maj. Për president zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicë votash, nëse në vendvotimet kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të regjistruar.
Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë numër të nevojshëm të votave, përsëritet tërë procedura zgjedhore. Presidenti i Republikës në Maqedoninë e Veriut zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, dhe për një mandat pesë vjecar. Ndërkohë që kanë të drejtë të zgjidhen në krye të shtetit të paktën dy mandate. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë.