Që kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ktheu çështjen e abortit në duart e shteteve në vitin 2022, demokratët janë mobilizuar për të mbrojtur të drejtat e abortit.
Ndërsa republikanët kanë punuar për të kufizuar procedurën mbi baza fetare dhe morale. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson nga Nevada, kjo çështje po motivon pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Votuesit në Nevada nuk po vendosin vetëm mes kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris për president. Ata do të votojnë edhe për nismën ligjore “Pyetja e Gjashtë”.
Laura Campbell po shkon derë më derë për të kërkuar mbështetje për këtë propozim, që ajo thotë se është shumë i rëndësishëm.
“Qasja tek aborti në fakt më shpëtoi jetën më shumë se një herë. Mendoj se kjo është e rëndësishme, sepse pas vendimit të Gjykatës së Lartë, shteti duhet të na mbrojë”, thotë ajo.
Por votues si Deborah Costello, nga organizata fetare jofitimprurëse që ofron alternativa ndaj abortit, “First Choice Pregnancy Services”, janë të shqetësuar nga mundësia e miratimit të propozimit, që do ta bënte të drejtën e abortit pjesë të kushtetutës së Nevadës.
“Beteja është shumë e vështirë. Miliona e miliona dollarë në shtetin tonë po mbështesin industrinë e abortit”, thotë ajo.
Në vitin 1990 banorët e Nevadës votuan për ta bërë abortin të ligjshëm deri në javën e 24 të shtatëzanisë. Por demokratët kanë frikë se një presidencë e dytë e zotit Trump mund t’i eliminojë këto të drejta, edhe pse ish Presidenti Trump thotë se kjo çështje duhet të mbetet në kompetencën e shteteve. Nëse nisma ligjore miratohet, e drejta e abortit do të bëhej pjesë e kushtetutës së shtetit, duke e bërë më të vështirë shfuqizimin e saj.
“Ne kemi parë humbje jetësh, në njëzet e dy shtete është ndaluar aborti. Ne nuk duam që kjo të ndodhë në Nevada”, thotë Laura Campbell nga Organizata Kombëtare për Gratë.
Jessica Ponce deLeon do të votojë për herë të parë në zgjedhjet e këtij viti. Ajo planifikonte të votonte në favor të propozimit për abortin dhe për demokraten Kamala Harris përpara se zonja Campbell të trokiste në derën e saj.
“Qeveria nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e trupit të grave apo aspekte të tjera të shëndetit të tyre. Gratë duhet të kenë kontroll të plotë mbi trupin e tyre”, thotë ajo.
Nevada është një nga dhjetë shtetet këtë vit zgjedhor, ku votuesit do të kenë mundësi të vendosin se si dhe kur duhet të jetë i ligjshëm aborti. Në vitet e kaluara zgjedhore, kjo çështje ka rritur pjesëmarrjen e votuesve nga e cila kanë përfituar kandidatët demokratë.
Cristiane Mersch, një emigrante braziliane që mbeti shtatzënë në një marrëdhënie abuzive dhe vendosi ta mbante fëmijën, është anëtare e bordit të organizatës “Nevada Right to Life”.
“Pa jetë nuk ka liri, nuk ka të drejta të tjera. Nëse nuk e respektoni jetën, do të ketë racizëm, trafikim njerëzor”, thotë ajo.
Ndërsa çështja e abortit po motivon votuesit e rinj, Emily Costello, e cila këtë vit do të votojë për herë të parë, thotë se mendjet mund të ndryshohen dhe jo të gjithë votuesit e rinj do të votojnë për demokratët.
“Nëse ju mund të shihni se sa shkatërruese është kjo për vetëm një qenie njerëzore, kjo do të ndryshonte mendjen tuaj menjëherë, në çast”, thotë ajo.