Ndërsa po i afrohemi mbajtjes së zgjedhjeve paraprake për kandidatin republikan për president, shumë votues konservatorë nuk janë të sigurt se votat e tyre do të numërohen në mënyrë të drejtë, sipas një sondazhi të ri të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe qendrës NORC e cila merret me hulumtimin e çështjeve publike. Sondazhi thotë se pesimizmi për të ardhmen e të dy partive, Demokrate dhe Republikane, po rritet.
Rreth një e treta e republikanëve thonë se kanë “shumë” apo “jo pak” besim se votat në zgjedhjet paraprake brenda partisë së tyre do të numërohen saktë. Rreth tre në 10 republikanë kanë një sasi “të moderuar” besimi dhe 32% thonë se kanë “vetëm pak” ose “aspak” besim në procesin zgjedhor partiak. Në anën tjetër, 72% e demokratëve kanë besim të lartë se partia e tyre do t’i numërojë saktë votat në garat paraprake. Demokratët gjithashtu kanë më tepër besim se vet republikanët që numërimi brenda partisë konservatore të jetë i saktë.
Republikanët vazhdojnë të shohin me dyshim numërimin e votave – si në garat brenda partiake dhe ato me kundërshtarët politikë. Rreth një e katërta e republikanëve thonë se kanë “pak” besim se votat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 do të numërohen me saktësi, dukshëm më pak se demokratët. Në përgjithësi, pothuajse gjysma e të rriturve amerikanë (46%) besojnë të njëjtën gjë, gjë që është në përputhje me një sondazh tjetër Associated Press dhe NORC të kryer në muajin qershor.
Skepticizmi midis republikanëve vjen pas akuzave që po vazhdojnë prej viotesh nga ish-presidentit Donald Trump i cili, pa ofruar prova, fajëson atë që ai e quan, mashtrim i zgjedhjeve për humbjen e tij në vitin 2020. Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore dhe vetë prokurori i përgjithshëm i emëruar nga ish Presidenti Trump kanë thënë se nuk ka asnjë provë të besueshme që zgjedhjet ishin të manipuluara. Akuzat e ish-presidentit për mashtrim u refuzuan gjithashtu nga gjykatat, duke përfshirë edhe nga gjyqtarët e emëruar nga vetë zoti Trump.
“Asgjë nuk do të jetë e drejtë sepse zgjedhjet e fundit u manipuluan”, tha 32 vjeçarja Julie Duggan nga Çikago, votuese e zotit Trump, duke iu referuar vitit 2020. “Unë nuk i besoj asnjërit prej tyre në këtë pikë”.
Sondazhi zbuloi gjithashtu mungesë të gjerë besimi në të dyja partitë kryesore politike midis të rriturve në SHBA në përgjithësi.