Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping i dhanë fund takimit disa orësh, i pari ballë për ballë në një vit, duke u zotuar që të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara. Dy udhëheqësit folën për marrëveshje modeste për të luftuar fentanilin dhe rivendosur komunikimet ushtarake. Por ende ka dallime të thella lidhur me konkurrencën ekonomike dhe kërcënimet e sigurisë globale.

Të dy udhëheqësit shpenzuan katër orë së bashku, në takime, një drekë pune dhe një shëtitje në kopsht, me qëllimin për t’i treguar botës se, ndërsa janë konkurrentë ekonomikë globalë, ata janë të hapur për të debatuar.

“Planeti Tokë është mjaft i madh që të dy vendet të kenë sukses”, i tha Presidentit Biden homologu Xi.

Presidenti amerikan i tha udhëheqësit Xi: “Unë mendoj se është e rëndësishme që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, drejtpërdrejt, pa keqkuptime apo keqkomunikime. Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos kthehet në konflikt”.

Takimi i dy udhëheqësve në prag të konferencës vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, ka nënkuptime të gjera për një botë që po përballet me probleme ekonomike, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Evropë, tensionet në Tajvan dhe më gjerë.

Ata arritën marrëveshje të pritshme për të frenuar prodhimin e paligjshëm të fentanilit dhe për të rivendosur lidhjet ushtarake, tha një zyrtar i lartë amerikan pas përfundimit të takimit.

Shumë nga kimikatet e përdorura për prodhimin e fentanilit sintetik vijnë nga Kina dhe përdoren nga kartelët që e trafikojnë lëndën e fuqishme narkotike në Shtetet e Bashkuara, e cila po përballet me një krizë mbidoze.

Udhëheqësit ushtarakë do të rivendosin linjat e komunikimit, tejet të rëndësishme, ndërsa janë rritur incidentet midis anijeve dhe avionëve të të dy vendeve, tha zyrtari në kushte anonimiteti.

Zyrtari amerikan tha se lidhur me Tajvanin mes dy udhëheqësve kishte shumë ecejake. Presidenti Biden e qortoi Kinën lidhur me shtimin e prezencës ushtarake masive përreth Tajvanit. Presidenti kinez tha se nuk kishte plane për ta pushtuar ishullin.

Zyrtari amerikan tha se zoti Biden i kishte thënë udhëheqësit Xi se Shtetet e Bashkuara ishin të vendosura për ta vazhduar ndihmën ndaj Tajvanit që të vetëmbrohet dhe të parandalojë një sulm të mundshëm kinez. Presidenti Biden i bëri thirrje Kinës që të shmangë ndërhyrjet në zgjedhjet e Tajvanit vitin që vjen. Zyrtari e përshkroi pjesën e bisedimeve për Tajvan si të qetë.

Zoti Biden i bëri thirrje Presidentit Xi që ta përdorë ndikimin e tij ndaj Iranit për ta bërë të qartë se Teherani dhe elementët e tij nuk duhet të ndërmarrin hapa që do të çonin në një zgjerim të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Gjatë diskutimeve për Iranin, Presidenti Biden udhëhoqi bisedën dhe Presidenti Xi dëgjoi më së shumti, sipas zyrtarit amerikan.

Sipas një deklarate të lëshuar nga kanali televiziv shtetëror i Kinës, CCTV, Presidenti Xi ishte më i përqendruar tek çështja e Tajvanit si dhe sanksionet dhe kufizimet amerikane ndaj produkteve dhe bizneseve kineze.

Televizioni shtetëror kinez njoftoi gjithashtu se dy udhëheqësit kishin rënë dakord për të dialoguar lidhur me inteligjencën artificiale ndërsa theksuan urgjencën që të dy vendet të trajtojnë ndryshimet e klimës./VOA