Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, është larguar nga kryeqyteti Kabul për në Taxhikistan, ka thënë të dielën një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme afgane, shkruan Reuters.

E pyetur për koment, zyra e presidentit tha se “nuk mund të thotë asgjë për lëvizjen e Ashraf Ghani për arsye sigurie”, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, një zyrtar taleban i tha Reuters se ata po kontrollonin raportet në lidhje me largimin e Ghani nga vendi.Ndryshe, një zyrtar i lartë i ministrisë së brendshme kishte thënë për Reuters se rebelët talebanë po vinin “nga të gjitha anët” në kryeqytet, por nuk dha detaje të tjera.Sidoqoftë, nuk kishte raportime për luftime.

Shtetet e Bashkuara evakuuan diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter dhe një ministër i qeverisë tha se pushteti do t’i kalonte një administrate të përkohshme.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha në një deklaratë se grupi ishte në bisedime me qeverinë për një dorëzim paqësor të Kabulit.

“Luftëtarët talebanë do të jenë në gatishmëri në të gjitha hyrjet e Kabulit derisa të arrihet një transferim paqësor dhe i kënaqshëm i pushtetit”, citohet një deklaratë.

Hyrja në kryeqytet tregon një përparim rrufe nga talebanët të cilët u dëbuan nga Kabuli 20 vjet më parë nga Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit.