SHBA– Presidenti i SHBA-së Barack Obama do të betohet sot publikisht për mandatin e tij të dytë.
Në ceremoninë pupublike në shkallët e Kapitolit, Presidenti Obama do të bëjë betimin përsëri me dorën mbi biblën që përdori Presidenti Abraham Linkoln për inaugurimin e tij në vitin 1861.
Presidenti Obama do të përdorë një bibël të dytë që dikur i përkiste udhëheqësit të të drejtave civile Dr. Martin Luther King, i Riu. Ceremonia e inaugurimit përkon këtë vit me festën kombëtare për nder të Dr. Kingut.
Ndërkohë dje, Presidenti Barak Obama bëri betimin në një ceremoni që zgjati rreth 30 sekonda në dhomën blu të Shtëpisë së Bardhë që shikon nga monumenti i Uashingtonit.
Zonja e parë Mishellë Obama, vajzat Malia dhe Sasha, si dhe një grup i vogël gazetarësh ishin të pranishëm, kur Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Robert administroi betimin.
Presidenti Obama i dha dorën gjykatësit Robert, puthi të shoqen dhe vajzat dhe i tha familjes: ” E bëra betimin”.
Kjo është hera e shtatë në historinë amerikane që një president bën betimin të djelën, para ceremonisë publike një ditë më pas. Kushtetuta parashikon që mandati i presidentit të fillojë më 20 janar. Presidenti Obama përdori biblën e gjyshes së të shoqes, LaVaughn Delores Robinson.
Më herët, zv/presidenti Baiden bëri betimin në rezidencën e tij zyrtare në Observatorin e Marinës në Uashington, duke përdorur biblën e familjes.
Betimi i tij u administrua nga gjykatësja Sonja Sotomajor, hera e parë në histori nga një gjykatës hispaniko-amerikan.
Presidenti dhe zv/presidenti vunë një kurrorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezet Kombëtare në Arlington për të nderuar të rënët e ushtrisë amerikane.
Presidenti Obama fillon mandatin e tij të dytë mes një përzjerjeje të optimizmit dhe pesimizmit për ekonominë dhe aftësinë e udhëheqësve për të lënë mënjanë përplasjet partiake dhe për t’u përqendruar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zgjidhjen e problemeve fiskale.
Miratimi për punën e vetë presidentit dhe për të si person është i lartë. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë optimistë për mandatin e tij të dytë. Por më pak se gjysma besojnë Presidenti Obama dhe republikanët do të jenë në gjendje të punojnë sëbashku.
Motoja zyrtare e inaugurimit të dytë të zotit Obama është “populli ynë, e ardhmja jonë”. Hollësitë për fjalimin e tij të sotëm nuk dihen. Ndihmësit e tij thanë se ai vazhdon të bëjë ndryshime në fjalimin e tij.
Rreth tri javë e ndajnë fjalimin e inaugurimit të Presidentit Obmaa sot dhe atë për gjendjen e vendit që do të mbajë më 12 shkurt.
Ai do të parashtojë në atë fjalim objektiva specifike të politikës së tij për mandatin e dytë, duke u përqendruar tek ekonomia, reforma e imigracionit, ligjet e reja për kontrollin e armëve dhe vazhdimi i tërheqjes së trupave luftarake amerikane nga Afganistani.