SIRI- Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka mbajtur një fjalim para popullit të tij ndërsa ka kërkuar nga opozita të jetë pjesë e brendshme e dialogut për zgjidhjen e situatës në vend.
Në fjalimin e tij, Presidenti Bashar al-Assad, është shprehur i gatshëm të bisedojë me “opozitën e vërtetë” dhe jo me ata që përdorin gjuhën e terrorizmit dhe që “është e manipuluar nga të huajt”.
“Opozita duhet të jetë pjesë e brendshme e dialogut dhe kështu situata do të ndryshojë në favor të vendit. Liderët e opozitës të venë zemrën dhe mendjen në të mirë të popullit. Ne po përballemi me sulme të jashtme që përdorin njerëz të brendshëm. Ne po mbrojmë veten tonë, njerëzit tanë po mbrojnë veten e tyre. Ne kemi ofruar zgjedhje politike që në fillim, dialog dhe proces demokratik. Ne po kërkojmë një partner politik,nuk kemi refuzuar zgjidhjet politike. Por ne po përballemi me ata që njohin gjuhën e vrasjeve dhe krimeve. Ne nuk do futemi në dialog me këta ekstremistë që duan të shkatërrojnë vendin” tha Bashar Al Assad
Gjithashtu presidenti Bashar al Assad ka akuzuar edhe Perëndimorët të cilët sipas tij kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Sirisë.
“Armiqtë e vendit do të shkojnë në ferr. Nga protesta paqësore u kalua në sulme dhe pushtime qytetesh dhe ky s`është një revolucion. Një revolucion ka intelektualë dhe liderë, por këtu kush janë intelektualët e liderët. Rebelët po vrasin njerëz, kërcënojnë popullin, ata janë militantë si Al Kaedas.Kryengritësit duan ta kthejnë Sirinë në një zemër të Xhihadit. Këta terroristë duan të largojnë demokracinë në vend dhe ne duhet të mundim këtë ideologji. Ne duhet t’i ndalojmë ata që ta shkatërrojnë Sirinë prandaj dhe duhet të jemi të bashkuar. Komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar të ndërhyjë në këtë problem të brendshëm dhe vlerësojmë qëndrimin e Kinës dhe Rusisë për mosndërhyrje në Siri” shtoi Bashar al Assad.
Presidenti sirian parashtroi edhe një plan për periudhën e tranzicionin, plan që në pikën e parë parashikon uljen e armëve, nisjen e bisedimeve, arritjen e një marrëveshje për një kushtetutë të re të vendit, dalja me një qeveri të re, amnisti për të burgosurit e luftës, miratimi i ligjeve që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Fjalimi i presidentit Assad, bëhet në periudhën e luftimeve intensive ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve në lagjet e kryeqytetit Damask.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 60 mijë njerëz janë vrarë në Siri, prej marsit të vitit 2011, kur filloi kryengritja kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.