Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Monica Zach.

Presidenti Begaj pranoi letrat kredenciale të Ambasadores austriake, së cilës i uroi suksese përgjatë shërbimit diplomatik në Shqipëri, duke i shprehur mbështetjen e tij dhe të autoriteteve shqiptare.

Gjatë bisedës u vlerësua niveli i lartë e i shkëlqyer i marrëdhënieve shqiptaro-austriake dhe u theksua njëherazi nevoja për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes fuqizimit të rolit të komisionit të përbashkët ekonomik për zgjerimin e tregtisë, investimeve dhe turizmit.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Austrisë për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë në Shqipëri nëpërmjet projekteve konkrete në shumë fusha, si: në drejtësi, arsim e mbrojtje, për lobimin përgjatë procesit të integrimit në BE, kontributin ndaj Kosovës përmes KFOR-it, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.